Ministria e Financave dhe Ekonomisë propozon një akt të ri normativ për të ndryshuar për herë të tretë buxhetin e vitit 2017. Ndryshimet e paraqitura, sipas qeverisë, sigurojnë arritjen e tre objektivave të rëndësishëm: garantimin e ofrimit të shërbimeve publike, rritjen e frytshmërisë së përdorimit të burimeve publike, rritjen e sigurisë në realizimin e treguesve të buxhetit. Ministria e Financave shpjegon se ndryshimi në rritje i buxhetit aktual bazohet në performancën makrofiskale e buxhetore të 10-mujorit janar-tetor 2017, si dhe në parashikimin e pritshëm të këtyre treguesve deri në fund të këtij viti buxhetor. Akti normativ, që tashmë ka mbërritur në tavolinat e punë së deputetëve të kuvendit, konsiston në ruajtjen e parametrave kryesorë të buxhetit të miratuar në fillim të vitit. Kështu deficiti buxhetor mbetet i pandryshuar, ndërkohë që të ardhurat dhe shpenzimet e buxhetit rriten në të dyja kahet me rreth 4,5 miliardë lekë, 3.5 miliardë lekë nga të cilat janë kontribut nga taksat dhe tarifat e pushtetit vendor, që janë rritur dukshëm në karahasim me parashikimin. Më 1.8 miliardë lekë është rritur kontributi nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, si rrjedhojë e performancës së lartë në mbledhjen e tyre. Po ku do të përdoren këto të ardhura?
Kjo është tabela që parashikon Ministria e Financave
- Rreth 600 milionë lekë rialokohen në zërin “shpronësime”;
- Rritet me 352 milionë lekë fondi i kompesimit i ish-të përndjekurëve politikë për shlyerjen 100% të këstit të tetë dhe të fundit të kategorisë parësore të përfituesve të gjallë, deri në fund të vitit 2017.
- Rriten me 200 milionë lekë shpenzimeve për kompensimin e lindjes së fëmijëve;
- Rriten me 200 milionë lekë financimi i detyrimeve ekzistuese të kontratave të mirëmbajtjes së akseve kombëtare;
- Rriten me 150 milionë lekë buxheti i Ministrisë së Drejtësisë për rikonstruksionin e godinës së Kolegjit të Posaçëm të Apelimit;
- Rriten me 127 milionë lekë shpenzimet korrente për të përballuar faturat e përfaqësimit të Shqipërisë në çështjet e arbitrazhit të gjykatave ndërkombëtare;
- Rriten me 120 milionë lekë shpenzimet për këstin e radhës të Microsoft-it;
- Rriten me 100 milionë lekë buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, për përmbushjen e detyrimeve në NATO;
- Rritet me 100 milionë lekë transferta buxhetore për Radiotelevizionin Shqiptar, për mbulimin e shpenzimeve të implementimit të platformës së digjitalizimit;
Krrahas këtyre rritjeve të fondeve qeveria ka shkurtuar me rreth 400 milionë lekë fondin rezervë të Vetting-ut,si dhe ka reduktuar me 200 milionë lekë rezervën për rritjen e pagave, si rrjedhojë e kursimeve të institucioneve buxhetore