KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Ndizet flaka olimpike për “Pjeongçeng 2018”

Ndizet flaka olimpike për “Pjeongçeng 2018”

Të martën është ndezur në vendlindjen e Lojërave Olimpike në Greqi flaka olimpike, e cila sinjalizon gjithashtu edhe nisjen e stafetës së pishtarit olimpik, që do të mbyllet më 9 shkurt 2018, kur të nisë zyrtarisht edhe Olimpiada Dimërore “Pjeong-Çeng 2018”. “Tanimë do të jetë në dorë të Pjeong-Çengut që të ruajë dinamizmin për 3 muajt e përgatitjeve, ndonëse ata janë në rrugë të mbarë dhe gjithçka duket se është në nivelin e kërkuar për një Olimpiadë të shkëlqyer dimërore”, – tha në fjalën e tij Presidenti i Komitetit Olimpik, Tomas Bah. Koha e vrenjtur dhe me rreshje të lehta shiu e pengoi paksa ceremoninë tradicionale, ku aktorja Katerina Lehou, që interpretonte priftëreshën e tempullit 2,600-vjeçar të Heras, nuk mundi të mbështetej tek rrezet e diellit për të ndezur flakën, por e mori atë nga një zjarr i ndezur nga provat gjenerale të një dite më parë. Ajo më pas ia kaloi atë mbajtësit të parë të pishtarit olimpik, skiatorit grek, Apostolos Angelis, i cili vrapoi për një distancë të shkurtër, për t’ia kaluar atë ish-futbollistit koreanojugor të Mançester Junajtid Park Xhi-sung. Pishtari Olimpik do të udhëtojë përgjatë Greqisë për 8 ditë, për të arritur në Korenë e Jugut më 1 nëntor 2018. Kjo Olimpiadë Dimërore do të mbahet vetëm 80 km larg asaj që është vija kufitare më e fortifikuar në botë, kufirit me Korenë e Veriut, çka ka shkaktuar shqetësim në komunitetin sportiv botëror. Të dy Koretë janë teknikisht në gjendje lufte, por organizatorët kanë këmbëngulur se nuk ka arsye për t’u trembur përsa i përket organizimit të Olimpiadës Dimërore të 2018-ës, që mbahet nga data 9, deri më 25 shkurt.

Sicred