KRYEFAQJA » LAJME » Ndiqet penalisht kryeinspektori i inspektoriatit të mjedisit Berat

Ndiqet penalisht kryeinspektori i inspektoriatit të mjedisit Berat

Kreu i inspektoriatit Berat, Altin Kazazi është çuar për ndjekje penale me akuzën për shpërdorim të detyrës nga Ministria e Mjedisit. Vendimi është marrë pas një inspektimi në terren ku janë konstatuar nga afër shkeljet ligjore. Grupi i punës ka konstatuar se mosveprimet e të akuzuarit kanë sjellë një dëm të konsiderueshëm në një sipërfaqe prej 197 ha në fondin pyjor. Në letrën drejtuar prokurorisë Tiranë, kryeinspektori i ISHMP-së, Plarent Ndreca argumenton shkeljet e njëpasnjëshme që janë vënë re gjatë ushtrimit të detyrës nga ana e shtetasit Kazazi, në pozicionin e kryeinspektorit rajonal të Beratit. “Të vendosur në tolerancën zero ndaj personave përgjegjës përgjatë ushtrimit të detyrës së tyre, veçanërisht kur këta të fundit mbajnë mbi supe përgjegjësinë e përmbushjes së detyrës, ISHMPU e çmon si të domosdoshëm denoncimin pranë organeve përkatëse të ndjekjes penale. Duke qenë të bindur në luftën ndaj këtyre fenomeneve ne çmojmë se veprime të tilla dëmtojnë rëndë marrëdhëniet juridike të vendosura për mbrojtjen dhe mirëfunksionimin e shtetit ligjor të Republikës së Shqipërisë”, – shkruhet në letrën drejtuar Prokurorisë. Krahas kallëzimit penal, grupi i inspektimit ka pezulluar edhe punimet e të gjitha subjekteve të inspektuara. Ndërkohë i akuzuari Altin Kazazi, është shprehur se lajmin e ka mësuar nëpërmjet medias dhe deklaroi se i mohon kategorisht këto akuza, të cilat i ka konsideruar si një skemë të pistë për ta shkarkuar nga funksioni.

Sicred