KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Ndërron jetë Fadil Hasa, aktori i shquar i humorit

Ndërron jetë Fadil Hasa, aktori i shquar i humorit

Është ndarë sot nga jeta aktori i mirënjohur i humorit, Artisti i Merituar Fadil Hasa. Fadil Hasa vuante prej kohësh nga një sëmundje e rëndë në mushkëri, sëmundje që i ka marrë dhe jetën, në moshën 78 vjeçare. Një prej ikonave të humorit durrsak dhe atij shqiptar, Fadil Hasa do të mbetet i paharruar për rolet e tij në Estradën e Durrësit, pjesë e së cilës u bë që në vitin 1974. Rolet e tij në skeçet “Sheqeri”, “Dajrja”, “Tekniku i Lavatrices”, etj, kanë mbetur të papërsëritshme në memorien e njerëzve. Fadi Hasa u bë pjesë edhe e kinematografisë shqiptare, ku ka luajtur në filmat “Zëvendësi i grave”, apo “Kronikë provinciale”. Ndërsa roli i tij më i mirë në kinema, ka qenë ai në filmin “Mao Ce Dun”, me të cilin është shpallur edhe aktori më i mirë protagonist. Fadil Hasa gjatë karrierës së gjatë, ka fituar shumë tituj dhe vlerësime, që nga “Artist i Merituar” e deri te katër herë “Aktori më i mirë i humorit”. Lajmi për humbjen e tij ka pushtuar edhe rrjetet sociale, ku shprehet keqardhje, por edhe sillen kujtime nga humori i Hasës ndër vite.  Homazhet për ndarjen nga jeta të aktorit të mirënjohur shqiptar, do të zhvillohen të martën në orën 10.00 në Teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës.

Sicred