KRYEFAQJA » LAJME » Ndërron jetë albanologu i shquar Robert Elsie

Ndërron jetë albanologu i shquar Robert Elsie

Albanologu par exellence, shqiptar i adoptuar për dashuri dhe pasion , kështu mund të cilësohet Robert Elsie i cili ndërroi jetë në Berlin pas një sëmundjeje të beftë në moshën 67 vjeçare. Studiues, përkthyes, njeriu që i dha zë në anglisht autorëve më brilantë të letërsisë shqipe nga Fishta e Migjeni të Ali Podrimja dhe Fatos Kongoli nuk jeton më. Tronditja ka qenë e madhe për gjithë intelektualët dhe shqiptarët që ia njohin kontributin jo vetëm në letërsi por edhe në dëshmitë e rralla që ai ka mbledhur për shqiptarët, fotografi, objekte, regjistrimin audio të të gjitha të folmeve shqipe. Ministrja e Kulturës Kumbaro edhe si përkthyese në profesion nuk e fsheh tronditjen, ndërkohë që e evidentoi ate si modelin e akademikut. “ Një shqiptar jo i lindur, por i bërë si Elsi ne nuk do të na kthehet ndoshta kurrë. Ai është modeli tipik i akademikut të sukseshëm.” Në mediat sociale shkrimtare dhe botues kanë folur edhe për një amanet të albanologut të shquar se dëshironte të prehej në Shqipëri. “Amaneti që ne dimë është ai i artistit përkthyes dhe studiuesit e akademikut të shquar. Sa për amanetin tjetër , ai duhet verifikuar me kujdes me familjen e Elsit.” Njohës i shkëlqyer shqipes dhe kulturës shqiptare, Robert Elsie ka përkthyer në gjuhën angleze autorë dhe poetë të rëndësishëm shqiptarë si Gjergj Fishta, Migjeni, Ali Podrimja, Fatos Kongoli, Azem Shkreli, Flora Brovina, Eqrem Basha, Ornela Vorpsi; është autor i shumë recencioneve mbi veprat e Ismail Kadaresë, Xhevahir Spahiut, Shaip Beqirit, Kasem Trebeshinës, etj. Një fond të rëndësishëm të veprave të tij, ai ia ka dhuruar Bibliotekës Kombëtare.

Sicred