KRYEFAQJA » LAJME » Ndalojnë shirat, nis stabilizimi i situatës

Ndalojnë shirat, nis stabilizimi i situatës

Ndërprerja e reshjeve të shiut, po sjell përmirësim të situatës së përmbytjeve në disa zona të vendit. Lumenjtë Vjosë dhe Shkumbin janë rikthyer në shtratin e tyre, por disa fshatra në Vlorë e Fier janë nën pushtetin e ujit dhe baltës.
Në Novoselë e Fitore të Vlorës, banorët e 77 shtëpive janë ende të evakuuara. Rruga nga qendra e Novoseles drejt fshatrave Fitore, Bishan, Delisuf dhe Dëllenjë është e bllokuar dhe kalohet vetëm me mjete të ushtrisë. Uji është rritur gjatë natës edhe në afërsi të autostradës. Sipas informacioneve nga gazetarët tanë edhe rruga Levan- Ura e Mifolit është e pakalueshme për shkak të nivelit të lartë të ujit.
Rreth 200 shtëpi në fshatrat Ferras, Cerven, Hambar, Kashishtë, Ade, Qarre, Boçovë e Darezezë dhe rreth 5 mijë ha tokë në qarkun Fier janë ende nën ujë, i cili ka arritur deri në 1.5 metra.
Ndërsa uji i lumit Shkumbin është tërhequr nga tokat të cilat u përmbytën ditën e djeshme. Në fshatrat Çermë, Proshk dhe Thanasaj uji ka lënë pas baltën dhe ka demtuar prodhimet e mbjella të sezonit.
Në Gjirokastër,janë evakuar 24 familje në zonë e Kodrës së Shtufit të cilat banonin në pallatin e rrezikuar nga shembja dhe në disa objekte në këtë zonë. Rrëshqitjet e dherave kanë sjellë dëmtimin edhe të disa segmenteve rrugore në qytetin e Gjirokastrës apo në njësitë administrative duke vështirësuar komunikimin.
Në Qarkun e Shkodrës, situata është e qete deri me tani. Hidrocentrali i Vaut Dejës po shkarkon nga portat anësore 500 meter/kub në sekondë, proces që po ndiqet për shkak të shtimit të prurjeve orët e fundit.
Në Kukës, sipas informacioneve të marra pranë shtabit të emergjencave civile të gjitha akset rrugore nacionale janë të kalueshme, por janë nën trysninë e rënies së gurëve dhe dherave. Për këtë shkak janë dëmtuar segmentet në aksin Bajram Curri – Fierzës në një gjatësi prej 30 metër dhe aksi Bajram Curri-Kam në një gjatësi prej 100 metër, ndërsa është e bllokuar rruga që të çon në fshatin Lojme, në Zapod. Si pasojë e prurjeve të ditëve të fundit ka edhe ndotje të Liqenit të Fierzës.

Sicred