KRYEFAQJA » LAJME » Ndahet nga jeta Liri Belishova, ish byroistja që kërkoi falje për krimet e komunizmit në Shqipëri

Ndahet nga jeta Liri Belishova, ish byroistja që kërkoi falje për krimet e komunizmit në Shqipëri

Ka ndërruar jetë në moshën 92-vjeçare Liri Belishova, ish-Sekretare e Komitetit Qëndror të Partisë së Punës në diktaturë dhe ish-anëtare e Byrosë politike të kësaj partie. Belishova ka qenë ish-bashkëshortja e Nako Spirut, i cili u detyrua të vetëvritej në vitin 1946 nga grupi i Koçi Xoxes, pas akuzave që iu bënë si bashkëpunëtor i Jugosllavisë, pasi Enver Hoxha i kishte prishur marrëdhëniet me Titon. Belishova më pas ishte martuar me Maqo Çomon, ministër i Bujqësisë për disa vite nën udhëheqjen e Partisë së Punës. Që të dy u dënuan pasi mbajtën një qëndrim pro Nikita Hrushovit, kur udhëheqësi sovjetik dënoi krimet e Stalinit. Belishova u internua dhe dhe kaloi një pjesë të mirë të jetës së saj në internim deri në ndryshimin e sistemeve në vitin 1991.

Kush është Liri Belishova, si shkëlqeu dhe u dënua nga PPSH-ja?

Liri Belishova ka mbaruar institutin femëror “Nëna Mbretëreshë” dhe që aty spikati për zgjuarsinë dhe aftësitë e saj organizative. Ajo së bashku me Nako Spirun ishin dy drejtuesit kryesorë të Bashkimit të Rinisë së Punës së Shqipërisë dhe u përpoqën për ta ngritur rolin e kësaj organizate në nivelin e homologeve të saj në Europën Lindore. Madje u përpoqën të lidhin marrëveshje me të gjithë këto organizata homologe dhe me grupe të tjera intelektuale të rinisë, të cilat ishin evidentuar në vendin e tyre si p.sh në Çekosllovaki. Në mbledhjet e pleniumit dhe byrosë që u organizuan në Tiranë, pasi ajo u kthye nga një vizitë zyrtare nga Kina, Belishova u kritikua për oportunizëm, mungesë vigjilence, deri në ambicjen e saj se ajo kishte dashur t’i zinte vendin Hoxhës duke përfituar nga simpatia e udhëheqësve sovjetikë deri tek Hrushovi për të. Më pas në 1961 ajo u internua bashkë me bashkëshortin e saj Maqo Çomon dhe me fëmijët e saj, një kalvar të tërë internimesh në Cërrik, ku i vdiq edhe vajza e saj Drita Çomo, 20 vjeçe. 30 vjet i kaloi në internim. Ajo ishte këmbëngulëse se s’kishte bërë asnjë tradhti ndaj partisë dhe se ishte është dënuar pa të drejtë. Pas rënies të regjimit, Belishova ishte ndër të paktët ish drejtues komunistë të kupolës që ka shfaqur pendesën e saj për egërsinë e regjimit për instalimin e të cilit ajo kontribuoi edhe vetë, por që njëkohësisht u bë edhe viktimë e këtij regjimi. Ish byroistja ishte ndër të vetmet kërkoi falje për krimet e komunizmit në Shqipëri.

Sicred