KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Ndahet nga jeta kineasti i njohur Todi Bozo

Ndahet nga jeta kineasti i njohur Todi Bozo

Është ndarë nga jeta në moshën 84-vjeçare Todi Bozo. Një nga kineastët e parë shqiptarë, që themeluan Kinostudion Shqipëria e Re në vitin 1958 pas kthimit nga studimet për kinematografi në Moskë. Madje ka qenë i pari kineast i diplomuar në fushën e produksionit të filmit. Filmi i tij i parë ishte “Furtuna”. Më pas do të ishte drejtor artistik në filmat “Debatik”, “Detyrë e posaçme”, “Vitet e para”, “Oshëtimë në bregdet” (1966), “Ngadhënjim mbi vdekjen, “Plagë të vjetra”. I kësaj kohe është edhe filmi “Lugina e pushkatarëve”. Në vitin 1971 Todi Bozo kaloi në detyrën e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të Kinostudios, detyrë që e kreu gjatë 12 viteve. Ndërkohë, nga ky vit e në vazhdim dha leksione të pandërprera në Kinostudio dhe në Akademinë e Arteve të Bukura. Edhe mbas daljes në pension Todi Bozo nuk e ndërpreu krijimtarinë artistike. Deri në vitin 2008 punoi si producent ekzekutiv në filmat “Kolonel Bunker’ dhe “Syri magjik” me regjisor Kujtim Çashkun, në filmin “Kronikë provinciale” me regjisor Artan Minarollin dhe në filmin “Koha e Kometës” me regjisor Flamur Koçin. Të gjithë këta filma janë realizuar në bashkëprodhim me partnerë perëndimorë. Todi Bozo është edhe babai i regjisorit të njohur Petri Bozo. Homazhet për të do të zhvillohen sot në sallën e Muzeut Historik Kombëtar nga ora 10 deri në oren 13.

Sicred