35 vite më parë hapi dyert Muzeu Historik Kombëtar. Studiues dhe historianë janë bërë bashkë jo vetëm për të kujtuar atë moment, por edhe për të diskutuar mbi “Rolin e muzeve në një shoqëri moderne”. Aktualisht muzeu kombëtar përmban rreth 6200 objekte, të cilat i përkasin një periudhe relativisht të gjatë kohore, duke filluar nga mijëvjeçari IV para Krishtit dhe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX. Ai ka shtatë pavjone: Lashtësia, Mesjeta, Ikonografia, Rilindja Kombëtare, Pavarësia, Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe Persekutimi komunist. Sipas drejtorit Melsi Labi, etnokultura shqiptare është në proçes ndërtimi.
Ndërtesa e Muzeut është mbështetur në modelin e arkitekturës monumentale. Grupi i punës, që punoi për projektin e Muzeut Historik Kombëtar përbëhej nga arkitektët Sokrat Mosko, Enver Faja, Nina Shehu dhe Petraq Kolevica. Në ballinën kryesore të Muzeut Historik Kombëtar është mozaiku “Shqipëria”, i përbërë nga 13 figurina . Ai është realizuar nga Vilson Kilica, Met Deliu, Agim Nebiu, Josif Drobroniku, Aleksandër Filipi etj.