KRYEFAQJA » LAJME » MOTORI I “DUKATI”-T, “GP2018”, MË I MIRI NË PISTË…?

MOTORI I “DUKATI”-T, “GP2018”, MË I MIRI NË PISTË…?

Mark Markez dhe “Honda” e tij e kryesojnë për momentin renditjen e përgjithsme të pilotëve, por debati që ka lindur në mjedisin e Moto GP-së, është nëse motori i tij apo ai i “Dukati”-t është më i miri në pistë. Edhe vetë Markezi e pranon se motori i tij “Honda RC213V” ishte më i miri në vijën e nisjes në fillim të këtij sezoni, por beson tanimë motori “Dukati” GP18 është më i miri. Të njëjtin mendim ndaj edhe shoku i tij i skuadrës, Dani Pedroza, i cili mendon se “Dukati” ka më tepër epërsi, duke argumentuar që aftësia e “GP18”-ës për të përshpejtuar xhirot e motorit ishte një shtysë masive. “Është e vërtetë se, për disa arsye, “Dukati”, ka epërsinë për momentin, pohoi piloti tjetër spanjoll i skuadrës japoneze. – Motori është shumë, shumë i shpejtë, sidomos në vijë të drejtë dhe kjo është një epërsi e konsiderueshme kundrejt të tjerëve.” Valentino Rosi, që me “Jamaha”-n e tij ndodhet midis Doviciozos dhe Lorencos në renditjen e pilotëve, por që asnjëherë nuk ka qenë në valle për një fitore gjatë këtij sezoni, tha se “Dukati” ka bërë një punë të shkëlqyer që nga ardhja e administratorit të përgjithshëm, Xhixhi Dal’Inja. “Ata kanë bërë atë hapin përpara që ne duhet të kishim bërë dhe mendoj se motori i tyre është qendra e vëmendjes së punës së skuadrës së tyre”, – tha veterani italian. I pyetur pas fitores në Mizano, që ishte e para për “Dukati”-n që nga 2007-ta, nëse “GP18” ishte tanimë motori më i mirë në MotoGP, Doviciozo tha: “Askush nuk mund ta dijë me siguri. Mbase. Mbase po, mbase jo. Është shumë e vështirë ta dish një gjë të tillë, sepse gjithmonë ka të bërë sa me motorin, aq edhe me pilotët. Është e sigurt që ne kemi përmirësuar shumë gjëra, sepse jemi shumë më të shpejtë në një pistë ku nuk kemi qenë më parë. Por të vetmit pilotë të “Dukati”-t që jemi në pararojë jam dhe Horheja, ndërsa skuadrat e tjera që furnizohen nga “Dukati” kanë motor të mirë, por pilotët kanë shpesh vështirësi.”

Sicred