KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Motoçiklizëm, dëmtohet Valentino Rosi
Motoçiklizëm, dëmtohet Valenti

Motoçiklizëm, dëmtohet Valentino Rosi

Valentino Rosi është rrëzuar me motor gjatë një seance stërvitore në terren malor. Bëhet fjalë për një frakturë në kërcirin e këmbës së djathtë, i njëjtë me atë të aksidentit të ndodhur në Muxhelo në 2010. Në atë kohë Rosit iu deshën gjashtë javë për t’iu rikthyer motorit.
Sipas mediave lokale, aksidenti ka ndodhur në një aks të vështirë malor dhe këmba e tij ka prekur një shkëmb. I pari që ka folur për mediat ka qenë babai i Valentinos, Graciano, i cili ka thënë tepër i shqetësuar: “Gjendja është e rëndë dhe Vale nuk është aspak optimist. Këmba i dhemb shumë dhe dyshohet për një frakturë”.
Për të parë më mirë gjendjen e këmbës së pilotit, mjekët i kanë çarë çizmen dhe kanë kryer më pas ekzaminimet. Rosi u shtrua fillimisht në një spital në Urbino. Më pas, me dëshirën e tij u tansferuar në “Torrette” të Ankonës. Ai i është nënshtruar operacionit, gjatë natës së kaluar, të cilin e ka kryer doktor Pascarella. Pas ndërhyrjes mjeku është shprehur optimist.
Rosi rrezikon të mos marrë pjesë në dy garat e ardhshme të botërorit, në atë të Mizanos dhe në Aragon. Duke vështirësuar kështu pretendimet e tij për titullin e 10-të botëror, kur ndodhet 23 pikë larg liderit të botërorit, Andrea Dovizioso.
Të shumta kanë qenë mesazhet në drejtim të 9 herë kampionit të botës në Moto GP. Midis tyre ka qenë edhe Maks Biaxhi i cili shkruan: “I uroj sinqerisht fat Valentinos, duke shpresuar që gjendja e tij të mos jetë shumë e rëndë. E kuptoj dhimbjen e tij e më vjen keq për të dhe kampionatin e tij”.

Sicred