KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Moto Gp, Mark Markez niset i pari në Saksenring
Moto GP, Markez : Ndryshova strategji në pistën austriake

Moto Gp, Mark Markez niset i pari në Saksenring

Kampioni në fuqi i botës, Mark Markez, ka rrezikuar gjithçka për gjithçka në Çmimin e Madh të Gjermanisë në Saksenring, duke e marrë vendin e parë të nisjes së garës së të dielës, por me një diferencë prej vetëm 25 të mijëtash të sekondës. Ka qenë një sesion provash zyrtare i luftuar fort ai në pistën gjermane, që erdhi për sportdashësit drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH 1, pasi 3 pilotët e vijës së parë të nisjes janë ngarë nga njëri-tjetrit me vetëm 57 të mijëtat e sekondës. Kjo do të jetë gara e 9-të radhazi që Markez niset i pari në Saksenring, po ai është sfiduar deri në fund për të regjistruar kohën 1 minutë, 20 sekonda e 270 të mijëtat, falë një shpejtësie prej 294.7 km/orë. Numri 93 la pas me vetëm 25 të mijëtat e sekondës Danilo Petruçiin e “Pramak”-ut, ndërsa 32 të mijëtat e sekondës më prapa erdhi Horhe Lorenco me “Ducati”-in e tij. Maverik Vinjales i “Yamaha”-s bëri një paraqitje të mirë, por u detyrua të kënaqej me vendin e 4-t të nisjes, ndërsa një tjetër “Ducati”, ai i Andrea Doviciozos do të niset nga vendi i 5-të dhe radhën e dytë do ta plotësojë piloti tjetër i “Yamaha”-s, veterani Valentino Rosi, që regjistroi kohën e 6-të më të shpejtë. Interesant është fakti se 3-shja e parë e nisjes ka fituar së bashku 11 tituj të kampionit të botës, por po kështu ka bërë edhe 3-shja e rreshtit të dytë. Dhjetëshen e të parëve do ta plotësojë Kal Kraçlou i “LCR Honda”-s, Andrea Ianone i “Suzuki”-t, Alvaro Bautista i “Anhel Nietos” dhe Dani Pedroza i “Repsol Honda”-s.
Sicred