KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Moto GP, Doviciozo, triumf dramatik në Austri

Moto GP, Doviciozo, triumf dramatik në Austri

Ka qenë një skenë si e nxjerrë nga një film ajo e garës së 11-të të nivelit më të lartë të Kampionatit Botëror të Motoçiklizmit, që njihet si Moto GP.
Në xhiron e fundit, në kthesën e fundit është shpalosur një betejë e vërtetë dramatike.
Pasi kanë shkëmbyer disa herë kryesimin e garës, Andrea Doviciozo dhe Mark Markez kanë interpretuar edhe aktin e fundit të këtij dueli të jashtëzakoshëm. Spanjolli i vendit të dytë e sulmon italianin, por e llogarit keq trajektoren. Piloti i “Dukati”-t ruan barazpeshën dhe gjaftohtësinë, duke rimarrë kryesimin dhe duke mbërritur ai i pari në finishin e garës austriake.
Gara austriake, që u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, dhuroi emocione dhe të papritura që në nisje dhe pilotët kanë shkëmbyer shpesh vendet, si ata që luftuan për 7 vendet e para, ashtu edhe për vendet e tjera.
Në përfundim të saj, Doviciozo ka marrë kreun e podiumit, duke lënë prapa dyshen spanjolle, Markezin dhe Pedrozën. Sa i përket 10-shes së të parëve, atë e plotësuan Lorenco, Zarko, Vinjales, Rosi, Bautista, Baz dhe Kalio. Teksa kanë mbetur edhe 7 gara deri në përfundim të këtij sezoni të Moto GP-së, Mark Markez i “Honda”-s mban vendin e parë me 174 pikë, i ndjekur nga Doviciozo i “Dukati”-t, me 158, Maverik Vinjales i “Jamaha”-s, me 150, Valentino Rosi po i “Jamaha”-s, me 141 pikë, dhe Dani Pedroza i “Honda”-s, me 139 pikë.

Sicred