KRYEFAQJA » LAJME » Moti i keq krijon situata problematike

Moti i keq krijon situata problematike

Moti i keq i cili ka përfshirë vendin ka sjellë jo pak situata problematike në shumë zona.
Në Vlorë një breshër i fuqishëm i cili zgjati për 15 minuta me një intensitet të dendur ka zbardhur qytetin. Prurjet e lumenjve janë shtuar. Problematike mbetet situatat në argjinaturën e fshatit Mifol, e cila ka pësuar çarje në disa pjesë të saj. Korenspodentët tanë në terren na njoftojnë se punohet për forcimin e saj.
Reshjet e rëna në 24 orët e fundit kanë shkaktuar probleme në akset rrugore Fier – Patos dhe Fier -Ballsh. Situata e ujit në rrugë ka zgjatur disa orë ndërkohë në diten e sotme si pasojë e prurjeve të shumta është rritur edhe niveli i lumit Vjosë. Lumi ka dalë nga shtrati duke u futur disa dhjetra apo qindra metra në tokat bujqësore. Në disa fshatra ka patur mungesë të energjisë elktrike si rezultat i difekteve në rrjet.
Në fshatin Imsht të Lushnjë përveç lumit Seman, përmbytja është shkaktuar edhe nga kanalet. Bllokimi i tyre ka sjell në këtë zonë përmbytjen e banesave dhe shumë oborre në të gjithë fshatin. Të zënë në befasinë e ujit, banorët e Imshtës, shohin me ankth prurjet e lumit Seman, të cilat këtë herë janë me të mëdha se një muaj më parë. Tokat që shtrihen buzë lumit janë të gjitha nën ujë, duke shënuar rastin e pestë të përmbytjes brenda dy muajve.
Gjatë ditës së martë edhe qarku i Kukësit është pushtuar nga reshjet e borës dhe të shiut. Në zonat malore në lartësitë mbi 400 metër kanë rënë reshje dëbore që në disa rrugë e fshatra kanë shkaktuar edhe bllokime. Sipas informacioneve të shtabit të emergjencave të gjitha akset rrugore nacionale janë të kalueshme ndonëse nën prezencën e borës dhe efektin e rënies së gurëve dhe dherave prej skarpateve. Rruga e Kombit është e kalueshme normalisht dhe firma mirëmbajtëse ka punuar me 4 borëpastruese dhe 4 te tjera janë në gatishmëri.
Reshjet e dy ditëve të fundit kanë rikthyer mankthin e Zaranikës për banorët e qytetit të Elbasanit. Reshjet e dendura të shiut kanë shtuar së tepërmi prurjet e këtij përroi duke e bërë atë të frikshëm e të pa parashikuar. Situata u paraqit problematike një natë më parë, ndërsa niveli u rrit ndjeshëm.
Një projekt për ndërtimin e një dige të re ekziston, por nuk dihet se kur do të konkretizohet. Shtabi i emergjencave civile konfirmon probleme në aksin Elbasan-Gjinar në vendin e njohur ndryshe si ai i “pompave“ ku rruga për momentin është e bllokuar nga reshjet e dëborës.
Në Qafë Thanë është dashur ndërhyrja e 6 borëpastrueseve për të mbajtur nën kontroll segmentin nga Lini deri në Prrenjas ku trashësia e borës ka shkuar në 30 cm. Policia, në bashkëpunim me firmën nënkontraktore dhe institucionin e prefektit, për gjatë gjithë natës nuk ka lejuar kalimin e mjeteve të tonazhit të rëndë dhe të papajisurat me zinxhirë edhe për të lehtesuar punën e borëpastrueseve.
Si rezultat i kësaj pune, i gjithë aksi rrugor, të gjitha rrugët nacionale të Qarkut të Korçës janë të kalueshme normalisht. Përjashtim bëjnë vetëm akset në zonat e thella malore, ku kalimi bëhet me zinxhirë.

Sicred