KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Moti i ftohtë në Europë, vështirësi të shumta dhe kaos
moti ne europe, moti i ftohte, europa perendimore, europa juglindore, gjermani, serbi, shqiperi, dimer, dimri ne europe , shtyhen fluturimet

Moti i ftohtë në Europë, vështirësi të shumta dhe kaos

Pjesa më e madhe e Europës mbetet e mbërthyer nga moti i ftohtë me erëra të forta dhe stuhi të fuqishme që kanë shkaktuar kaos në trafik, ndërprerje të energjisë elektrike dhe vonesa në udhëtime.
Energjia elektrike për rreth 350 mijë shtëpi në Francë u ndërpre përkohësisht, ndërsa paralajmërime të shumta për përmbytje janë në fuqi në brigjet lindore të Anglisë. Ndërsa Gjermania përgatitet për shira të rrëmbyeshëm, parashikuesit thonë se kushtet më të rënda do të shënohen në lindje të vendit. Situata e vështirë mbetet edhe në Ballkan dhe Turqi. Organizata Botërore Meteorologjike, thotë ndërkohë se moti i keq është përgjegjës për një numër të madh aksidentesh rrugore, mbylljen e shkollave dhe anulimet e fluturimeve. Organizata po ashtu paralajmëron për pasojat e motit të ftohtë tek të pastrehët dhe emigrantët. Zyrtarët janë veçanërisht të shqetësuar për vuajtjen e këtyre grupeve në Greqi dhe Serbi. Mijëra emigrantë në Ballkan jetojnë në tenda pa pasur shumë mundësi ngrohjeje. Agjencia e kombeve të bashkuara për refugjatët, UNHCR, tha se disa emigrantë kishin humbur jetën si pasojë e të ftohtit në Bullgari. Disa vende, po përjetojnë edhe reshjet më të mëdha të borës në shumë vite me lumin Danub dhe ngushticën e Bosforit që janë mbyllur për lundrim. Mali i Zi, Serbia, Maqedonia dhe Bullgaria, kanë parë një valë të pazakontë të ftohti me temperatura që shkonin edhe nën -15 gradë celsius për mbi pesë ditë radhazi. Vendet përreth, si Italia, Greqia, Turqia dhe Rumania, kanë regjistruar temperatura 5 deri në 10 gradë më të ulëta se normalja. Vala e të ftohtit në të gjithë Europën, ka marrë deri më tani më shumë se 65 jetë njerëzish, e vetëm në Ukrainë, temperaturat nën zero kanë shkaktuar 40 viktima që nga fundi i dhjetorit.

Sicred