KRYEFAQJA » LAJME » Mot i keq në veri, problemi me përmbytjet dhe rrëshqitjet

Mot i keq në veri, problemi me përmbytjet dhe rrëshqitjet

Rreshjet e rëna gjatë natës dhe vazhdimësia e shkarkimeve të ujit nga Hidrocentrali i Vaut të Dejës e kanë zgjeruar hartën e tokës bujqësore të përmbytur në njësinë administrative Ana e Malit në Bashkinë e Shkodrës. Më të dëmtuar janë fshatrat Obot, Oblikë dhe Goricë ku aktualisht janë qindra hektarë tokë nën ujë. Banorët thonë se u janë dëmtuar të mbjellat dhe kërkojnë të zhdëmtim. “Mua më janë dëmtuar mbi tri dynym tokë që e kisha mbjellë me foragjeret e stinës”-tha një banor i Oblikës për RTSH.
Ndërsa inspektonin sot situatën në terren drejtuesit e bashkisë dhe të prefekturës së Shkodrës debatuan lidhur me shkaqet e kësaj situate. Sipas bashkisë ajo është rrjedhojë e rritjes së nivelit të shkarkimeve nga hidrocentaralet dhe mos njoftimit në kohë për marrjen e masave. “Ligji ju detyron të njoftoni çdo dy orë në lidhje me shkarkimin e ujit nga kaskadat e hidrocentraleve, dhe për këtë ne si bashki nuk kemi patur informacion” tha kryetarja e Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi, duke iu drejtuar Prefektit të Qarkut.
Ndërsa prefekti, zoti Çesk Millja tha se situata nuk është krijuar nga hapja e portave të Hidrocentralit, por nga prurjet anësore të përrenjëve, kryesisht të atyre që vijnë prej Malit të Zi.
Edhe në rajonin e Shishtavecit në Kukës, shirat e rrëmbyeshëm u shoqëruan me rrëshqitjen e gurëve në rrugë. Aksi Kukës-Shishtavec u bllokua për më shumë se një orë duke paralizuar qarkullimin e automjeteve si dhe duke rrezikuar edhe jetën e qytetarëve. “Kaloj përditë në këtë rrugë dhe ndjehemi të pasigurt kur mbi kokat tona qëndrojnë shkëmbinjë të paqëndrueshëm”- tha një drejtues automjeti.
Firma kontraktuese ka punuar me tre mjete për largimin e gurëve nga rruga duke bërë të mundur fillimishtë kalimin e automjeteve vetëm me një korsi. “Firma jonë përreth një orë bëri të mundur lirimin e rrugës në tri segmente duke spostuar masive gurësh të cilat ranë nga lart”- u shpreh një prej drejtuesëve të mirëmbajtjes. Kjo rrugë është nyje lidhëse për një komunitet të madh njerëzish. Rreth 2 mijë udhëtarë kalojnë çdo ditë në aksin Kukës-Shishtavec, një rrugë e cila ka kushtuar 28 milionë dollarë dhe që i mungon elementi më i rëndësishëm, siguria.

Sicred