KRYEFAQJA » LAJME » Mogherini viziton të martën Tiranën

Mogherini viziton të martën Tiranën

17 Prilli do të shënojë marrjen e rekomandimit nga Komisioni Europian për çeljen e negociatave për Shqipërinë. Do të jetë komisionerja europiane për politikën e jashtme Federica Mogherini ajo që do t’i dorëzojë personalisht qeverisë progres raportin e Komisionit Evropian. Vizita e Mogherinit vjen në kuadër të një turi Ballkanik ku zyrtarja e lartë e BE-së do të vizitojë edhe Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë. Progres raporti përveç rekomandimeve pozitive për hapjen e negociatave flet edhe për ecurinë e reformave në Shqipëri sipas fushave të ndryshme. Në vlerësimet e tij Komisioni Evropian nënvizon se Shqipëria po ecën përpara në të pesë prioritetet kyçe që janë thelbësore për integrimin në BE – nga reforma e administratës publike, reforma juridike, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut. Megjithatë ky rekomandim nuk shënon hapin përfundimtar drejt hapjes së negociatave, proces që do të varet edhe nga votimi në muajin qershor nga ana e ministrave të jashtëm të vëndeve anëtare. Komisioni ndërkohë do të rekomandojë hapjen e negociatave edhe për Maqedoninë. Raporti për të gjithë kandidatët nga Ballkani Perëndimor dhe Turqinë, njeh korrupsionin, krimin e organizuar, sundimin e ligjit, lirinë e shprehjes dhe konfliktet bilaterale si çështjet më problematike.

Sicred