KRYEFAQJA » LAJME » Mogherini të shtunën në Tiranë
Mogherini të shtunën në Tiranë

Mogherini të shtunën në Tiranë

Shefja e diplomacisë evropiane Federica Mogherini do të qëndrojë të shtunën në Tiranë, etapa e pestë e një turi në kryeqytetet ballkanike. Kjo është vizita e dytë e zonjës Mogherini në Shqipëri në harkun kohor të një viti. Më 3 mars të vitit të kaluar nga foltorja e parlamentit shqiptar ajo i kërkoi politikës shqiptare të miratojë sa më parë reformën në drejtësi, duke i hapur rrugë nisjes së bisedimeve mes BE dhe Shqipërisë. “Silleni Shqipërinë në BE! Këtë detyrim ia keni Shqipërisë! Më lejoni t’ju them se kështu i detyroheni  gjithë Europës” ishte thirrja që përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Frederica Mogherini u bëri deputetëve shqiptarë në parlament. Vizita e shefes së diplomacisë europiane vjen në një kohë kur tensioni mes maxhorancës dhe opozitës në Shqipëri është rritur ndjeshëm, ndërsa parlamenti shqiptar do të duhet të përfundojë reformën në drejtësi. Prej 10 ditësh opozita po proteston para selisë së qeverisë duke kërkuar dorëheqjen e saj, ngritjen e një qeverie teknike e cila do ta çojë vendin më 18 qershor në zgjedhje të lira, të ndershme dhe të pakundërshtueshme. Maxhoranca nga ana e saj thotë se opozita po kërkon të minojë reformën në drejtësi dhe se po parandjen humbjen e zgjedhjeve të radhës.

Sicred