KRYEFAQJA » LAJME » Mogherini takohet me Thaçin dhe Vuçiç

Mogherini takohet me Thaçin dhe Vuçiç

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, takoi presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në New York. Në një njoftim të zyrës së zonjës Mogherini thuhet se “ata vazhduan diskutimet mbi periudhën e re të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian mbi normalizimin e plotë të marrëdhënieve në vazhdim të takimeve të zhvilluara në muajt korrik e gusht. Ata rishikuan përparimin e arritur në zbatimin e marrëveshjes për drejtësinë, që ka të bëjë me gjykatat në veriun e Kosovës, e cila duhet të zbatohet më 17 tetor”. Mogherini mirëpriti përkushtimin e të dy presidentëve për normalizimin e marrëdhënieve dhe ritheksoi se përparimi i të dyja palëve drejt integrimeve evropiane, është i lidhur ngushtë me përparimin në bisedime. Në dy takime që u zhvilluan në korrik dhe në fund të muajit gusht nw Bruksel, presidenti serb Vuçiç dhe presidenti i Kosovës, Thaçi, ranë dakord për një fazë të re të bisedimeve përtej çështjeve teknike. Në korrik presidenti serb paralajmëroi hapjen e një dialogu të brendshëm serb për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, pavarësinë e së cilës ajo vazhdon ta kundërshtojë, por është përfshirë në një proces bisedimesh në shkëmbim të afrimit më strukturat evropiane. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pret që në përmbyllje të bisedimeve të dyja palët të njohin njëra tjetrën dhe t’i japin fund një periudhë të gjatë të armiqësive. Ai ka bërë thirrje për ekip uniteti në Kosovë që do të përfshihej në bisedime ndërsa ka paralajmëruar se çfarëdo marrëveshje që të arrihet me Serbinë, do ta hedhë në referendum.

Sicred