KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Mjeshtëria pas Përkrenares së Skënderbeut

Mjeshtëria pas Përkrenares së Skënderbeut

Në një ekspozitë me relike që evokojnë historinë e kulminacionit kombëtar, edhe pse e krijuar rishtazi ajo qëndron si një “Stradivarius” krenare, që lëshon tinguj madhështie. Është përkrenarja e Pajtorit Kombëtar Gjergj Kastriotit krijuar nga duar artistësh dhe shpirt i apasionuar, nga dera e arte e Argjendari Pirros. Fine deri në detaje që të lënë pa frymë, ajo ka një histori për të rrëfyer, një përkrenare që është ngjizur si frymë e përkrenares origjinale të Skënderbeut, por që ka zënë vendin e nderit. Artisti dhe ideatori që qëndron pas saj na ka hapur dyert për të na rrëfyer ngjizjen me dashuri të një krenarie kombëtare dhe një procesi artistik frymëzues.

“Përkrenarja për të ruajtur origjinalitetin e vet duhet patjetër të kishte dhe punën e dorës. Ai emocion që unë mora nga ardhja e përkrenares nga Vjena në muze ishte një gjë shumë magjike sepse ajo më solli direkt në punën e argjendarisë. Ishte e gjitha metal, e praruar me ar, kishte veshje bronxi dhe metali dhe dashje pa dashje të vinet para një obligimi shumë të madh për të sjellë edhe një gjë të re” thotë për RTSH argjendari Pirro.

Përkrenarja jo vetëm që është punuar dhe është derdhur fantazia deri në detajet më të holla të kokës së dhisë dhe mbishkrimeve domethënëse, por është lënë vend edhe për sofistikimin dhe shndërrimin e saj në një kurorë mbretërore.

“Pjesa e kokës së dhisë u dekorua më bukur, mbajti një qëndrim për tu ulur në ar dhe të gjitha lulet u punuan me dorë. Falë traditës u munduam ta risillnim sepse kjo përkrenare nuk e ka stacionin e fundit këtu. Ky është një stacion që ajo ka ndalur me idenë që është prekur për tu kthyer jo në një përkrenare, në një kurorë mbretërore. Kur thua kurorë mbretërore nuk është vetëm kombinacion ari, por edhe gurësh të çmuar. E pastaj është pjesa e mesazhit të Vatikanit, aty ku është kurora e vërtetë, aty ku është lavdia e Skënderbeut dhe e jona bashkë. Ai nuk është vetëm një hero, mbetet dhe një mbret, ndaj dhe ajo do të dekorohet me gurë të çmuar” spjegon argjendari Pirro.

Sekreti i këtij arti të fisëm dhe elegant duket se fshihet pikërisht në një kënd të veçantë në Argjendari Pirro ku fshihen thesaret e kulturës kombëtare të punuara me filigran. Një traditë e sofistikuar në copëza unike arti.

“Ky obligim shumë i madh në lidhje me artin bën që të gjitha konceptet e reja të kostumeve kombëtare duhet të vijnë që në letër. Të dizenjuara bukur, te sjella në raportet e veta, kur filigrani të mos jetë një rrëmujë, që ai të lexohet bukur, krijon koloristikën e vet, raportet, të cilat sjellin mrekullinë e kostiumeve kombëtare” Pirro Ruco.

Në një galeri shumedimensionale zënë vend souveniret që marrin frymë dhe formë nga figura që apasionojnë si Skënderbeu, Nënë Tereza, por edhe shpalosin kulturën e lashtë ilire me Pirron, Teutën dhe mbretërit ilirë. Por një ndër gjërat më të çmuara që ka dalë nga duart e artizanëve dhe artistëve të talentuar të Pirros është filigrani që i jepte formë portretit të Papa Klementit 11.

“Dhurata më e bukur është dhurata që i është bërë Papa Françeskut, ku është bërë Papa Klementi në një reliev argjendi, në një kurorë ari, filigrani me punim dore e cila është vlerësuar dhe besoj se mund të jetë në muzeun e Vatikanit” thotë Pirro Ruco.

Imazhet që na shfaqen, na përmbysin shqisat, të gjitha kupat e aktiviteteve dhe festivaleve më të rëndësishme kombëtare kanë parë dritën e diellit nga materialet e çmuara dhe fantazia e Argjendari Pirros. Tradita e punimit të metaleve dhe kreativiteti artistik martohen me fjalën e fundit të teknologjisë 3D duke dhuruar pjesë unike për të cilat Pirro me të drejtë është krenar. Por a ka një peng në gjithë gamën e artit që krijohet në këtë laborator i cili zbukuron jetën e shqiptarëve prej 27 vitesh dhe jo vetëm pasi Vatikani, por edhe koleksioni i mbretereshës Elisabetë mban perla të Argjendarisë Pirro në koleksionet e tyre.
“Dua të bëj një gjerdan me emrin Pirro. Kam mbaruar kokrrat, por nuk i kam shkuar fillin akoma” thotë argjendari i njohur.

Sicred