KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Mirëdita, qyteti që të përshëndet

Mirëdita, qyteti që të përshëndet

Në qendër të Rubikut, një godinë e re është bërë ndalesa e parë e çdo vizitori, vendas e të huaj. Në trajtën e një kulle për të ruajtur traditën e zonës në ndërtim, ajo është qendra e re e informacionit, Info-Kulla. E ndarë në pavijone, aty shpërfaqet identiteti historik, kulturore, të traditave, si dhe karakteristikat gjeografike, ekonomike dhe të jetës së zonës.
Gjatë vizitës në Mirditë, Kryeministri Rama u ndal për të parë nga afër qendrën e informimit, e cila shërben si pikë reference për turistët. Kryeministri, i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë Ndrec Dedaj dhe ministrja e Arsimit dhe Sporteve Lindita Nikolla, u njoh me informacionin që kjo pikë ka vënë në shërbim të vizitorëve të saj.
Nëpërmjet instalacioneve, aty shfaqen momente të ndryshme të historisë, një ndër to edhe burgu i Spaçit. “Faza e dytë e zhvillimit dhe promovimit të turizmit në këtë zonë do jenë turet. Një model do jetë një vizitë në burgun e Spaçit, pa anashkaluar dhe qytetin e Rrëshenit. Do kemi dhe model turesh hiking,” – u shpreh drejtori i Info Kullës.
Kryeministri Rama vlerësoi këtë Info-Kullë një model për të gjitha bashkitë e vendit. “Çdo bashki mund të gjejë karakteristikën e vet për të ndërtuar një qendër të tillë dhe pastaj të gjithë ato qendra t’i lidhim në rrjet përmes teknologjisë dixhitale, në mënyrë që të kemi një bum informacioni dixhital për turistët,” – tha Kryeministri.
Ministrja Nikolla nga ana e saj u shpreh se Info-Kulla mund të shërbejë edhe si një laborator kulture për nxënësit e shkollave të kësaj zone.
Fokus të veçantë në këtë zonë ka edhe agroturizmi, në të cilin duhet të investohet më shumë nga sipërmarrësit, për të sjellë transformimin ekonomik dhe social që pritet. “Unë jam i bindur se me programin e agorturizmit do vendosim bazën e një transformimi të madh në dhjetëvjeçarin e ardhshëm, sepse faktikisht, kjo është mundësia më e mirë, sidomos për zona ku prodhimi intensiv bujqësor është i pamundur sot dhe nuk mund të punosh me idenë e rritjeve të eksporteve bujqësore, por duhet kthyer turizmi në eksportin më të madh,” – u shpreh Kryeministri Rama.

Sicred