KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Ministria e Financave: Nuk ka rritje të shpenzimeve për bashkitë!

Ministria e Financave: Nuk ka rritje të shpenzimeve për bashkitë!

Ministria e Financave ka deklarur se nuk ka rritje të shpenzimeve për paga dhe punësime në 61 bashkitë e vendit. Ajo ka hedhur poshtë konkluzionet e raportit për financat vendore, të publikuar ditët e fundit nga Co-PLAN, institut për zhvillimin e teritorit. Sipas raportit bashkitë po shpenzojnë më shumë për personelin në paga dhe punësime të reja, sesa për investime dhe shërbime për qytetarët. Por Ministria e Financave kundërshton këto konkluzione. Fran Brahimi, drejtor në Ministrinë e Financave tha për RTSH se “Ne nuk shpenzojmë shumë për administratën “. Gjithçka sipas tij ka ardhur pas transferimit të rreth 8000 punonjësve nga niveli qendror në atë lokal, për shkak të hyrjes në fuqi të ligjit të ri për pushtetin lokal. “Ky numër punonjësish ka një kosto shumë të madhe” tha zoti Brahimi. Si arsye të dytë zyrtari i lartë i Ministrisë së Financave rendit edhe rritjen e pagave.
Sipas raportit, për tremujorin e parë të këtij viti, evidentohet një rritje të shpenzimeve për personelin prej rreth 850 milionë lekë ose 25% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Por rritja e shpenzimeve të personelit dhe atyre operative nuk pajtohet me objektivin madhor të reformës administrative territoriale për eficiencë operacionale dhe reduktim të kostove administrative – theksohet në raport.
Zbatimi i reformës territoriale administrative rreth 1 vit e gjysmë më parë synonte pikërisht shkurtimin e shpenzimeve për paga dhe fokusimin te invetsimet. Në atë periudhë u përllogarit se nga zbatimi i reformës së re do të kurseheshin rreth 50 milionë euro në vit.

Sicred