KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Ministria e Financave do të mbledhë më pak të ardhura nga TVSH për 6 muajt që vijnë

Ministria e Financave do të mbledhë më pak të ardhura nga TVSH për 6 muajt që vijnë

Ministria e Financave rishikon me një ulje prej rreth 3 miliardë lekësh të hyrat fiskale që vijnë nga tatimi mbi vlerën e shtuar. Ky është rishikimi i parë që i bëhet buxhetit të fillim vitit. Tatimi mbi vlerën e shtuar, apo e ashtuquajtura taksa e konsumit, ka pasur ecuri të mirë gjatë gjashtëmuajve të parë të vitit. Kjo taksë është rritur me 1 për qind ose rreth 657 milionë lekë më shumë se sa plani fillestar i vitit 2017. Ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, tatimi mbi vlerën e shtuar është 4,7 për qind, ose 2,9 miliard lekë më shumë. Rishikimi i kësaj takse ka marrë në konsideratë performancën jo të mirë të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, që, në muajin qershor ka një mosrealizim të TVSH-së neto me rreth 2,6 %, ndërkohë që për këtë periudhë Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka grumbulluar 9,2 miliardë lekë, ose 5,9 për qind më shumë se qershori i kaluar. Rritja e prodhimit vendas të karburantit dhe rënia e importit për këtë shkak, kanë sjellë zhvendosje të të ardhurave nga TVSH-ja, nga Doganat në Tatime. Sipas Ministrisë së Financave, të ardhurat në buxhet nga taksimi i naftës vendase kanë qenë mbi 3.1 miliardë lekë, ose 27 herë më të larta se e njëjta periudhë e 2016-s. Duke krahasuar të dhënat e importit me ato të zhdoganimit vihet re se konsumi i naftës ka shënuar një rritje rreth 6% këtë vit. Ministria e Financave ka zgjedhur rrugën më të lehtë në grumbullimin e TVSH-së, atë të traut të doganave. Këtë e favorizojnë edhe importi dhe prodhimi vendas i karburanteve, importi i gazit të lëngët, importi dhe prodhimi i birrës, importi i pijeve energjike, importi dhe prodhimi i verës dhe importi i cigareve, që kanë shënuar rritje në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sicred