KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Ministri Klosi prezanton në Londër Shqipërinë turistike

Ministri Klosi prezanton në Londër Shqipërinë turistike

Shqipëria edhe këtë vit prezantohet në Panairin e Londrës “World Travel Market London 2017” me stendën e saj dhe me një numër të madh operatorësh turistikë. I pranishëm ministri Blendi Klosi është shprehur se pjesëmarrja e Shqipërisë këtë vit është e fokusuar në takimet me operatorët më të njohur në botë dhe prezantimin e paketës së re fiskale. “Objektivi ynë i rëndësishëm është ofrimi i të gjithë këtyre investitorëve të mundshëm strategjikë në turizmin shqiptar, ofrimi i paketës së re fiskale e cila ndihmon dhe mbështet shumë investimet e turizmit elitar në Shqipëri” tha zoti Klosi. Ai theksoi se “hotelet me 4 dhe 5 yje do të marrin lehtësirat fiskale më të mira në rajon dhe këto do t’ua prezantojmë të gjithë operatorëve të interesuar gjatë ditëve të panairit”.
Më tej Ministri Klosi garantoi se gjatë ditëve të panairit, por edhe më pas do të vijojë të bisedojë me operatorët turistikë në vend mbi problematikat e turizmit shqiptar.
“World Travel Market London 2017” është një nga panairet më të mëdha globale në industrinë e udhëtimit ku pjesëmarrës nga e gjithë bota takohen për të krijuar rrjete bashkëpunimi midis tyre.

Sicred