KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Ministri i jashtëm Saudit, flet për vrasjen e gazetarit Hashogi

Ministri i jashtëm Saudit, flet për vrasjen e gazetarit Hashogi

Ministri i jashtëm i Arabisë Saudite Adel Al Xhubeir është shprehur për Foks News se gazetari Xhamal Hashogi është vrarë, duke fajësuar një operacion të papërgjegjëshëm, siç e quajti ai, për vrasjen që ka shkaktuar reagim ndërkombëtar. Al Xhubeir tha se vrasja e Hashogit kishte qenë një gabim i tmerrshëm dhe gjithashtu mohoi spekullimet se princi i kurorës mund të ketë qenë ai qe ka urdhëruar vrasjen.

Gazetari u pa i gjallë për herë të fundit në datën 2 tetor, ndërsa po hynte në konsullatën saudite në Stamboll, ku do të tërhiqte dokumentet e divorcit të firmosura nga ish-bashkëshortja e tij. Të ndodhur para një presioni ndërkombëtar për të shpjeguar vendndodhjen e gazetarit, sauditët kanë dhënë shpjegime kontradiktore për ngjarjen. Fillimisht thanë se Hashogi ishte larguar nga godina i paprekur, por të premten që lamë pas, pranuan për herë të parë se kishte humbur jetën gjatë një përballjeje fizike. Pretendimi i fundit u prit me skepticizëm.

Zyrtarët turq besojnë se Hashogi, një kritik i qeverisë saudite, që jetonte në SHBA, ku shkruante për Washington Post, u vra nga një skuadër e agjentëve sauditë brenda godinës së konsullatës dhe gjithashtu thonë se kanë prova që e mbështesin këtë besim. Ndërkohë, komentet e ministrit të jashtëm saudit, i cili e përshkruan incidentin si vrajse, janë më të drejtpërdrejtat që kanë ardhur këto ditë nga zyrtarët sauditë. “Jemi të vendosur të zbulojmë të gjitha faktet dhe të dënojmë ata që janë përgjegjës për këtë vrasje”, – u shpreh Al Xhubeir. Sipas tij, personat që kanë kryer vrasjen duket se kanë dalë jashtë autoritetit të tyre, përderisa për ngjarjen nuk kishin dijeni as drejtuesit e shërbimit të inteligjencës.

Sicred