KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » MIE: TEC-i i Vlorës dhe spekulimi i PD
MIE: TEC-i i Vlorës dhe spekulimi i PD

MIE: TEC-i i Vlorës dhe spekulimi i PD

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë i konsideroi si spekulime të qëllimshme dhe dashakeqe, deklaratat e PD lidhur me hapjen e procedurës për dhënien me koncesion të TEC-it të Vlorës. “I ndërtuar pa asnjë logjikë ekonomike prej atyre që sot guxojnë dhe hedhin akuza, TEC-i i Vlorës gjatë gjithë këtyre viteve vazhdon tu kushtojë para taksapaguesve pa patur mundësinë të vihet në punë” shkruan MIE në një deklaratë të saj. Sipas deklaratës “Studimet kanë faktuar se dhënia me koncesion përfshirë riparimin e defektit, kthimin e tij nga një TEC me naftë në një TEC me gaz dhe lidhjen me tubacionet e gazsjellësit TAP mbetet e vetmja alternativë”. “Në konsulencë me studion Roland Berger dhe me rekomandimin e Bankës Botërore, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka hapur garën ndërkombëtare ku fton kompanitë e interesuara me eksperiencë dhe kapacitete në operim termocentralesh. Një nga kushtet për të marrë pjesë nëkëtë garë është që ofertuesit të kenë ndërtuar/operuar termocentrale të të njëjtave kapacitete ose më të mëdha” shënon deklarata e MIE. “Spekulimi i PD për përjashtim të kompanive të huaja është krejtësisht i qëllimshëm dhe i pavërtetë sepse në Shqipëri nuk ka kompani të specializuara dhe me eksperiencë në termocentrale me gaz” thekson ajo.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë sqaron se “Kompania e cila do të dëshirojë të rivërë në punë TEC-in duke e marrë me koncesion për një periudhë 20 vjeçare duhet që me paratë e saj të investojë për riparimin e defekteve, transformimin teknologjik të TEC-it nga naftë në gaz dhe ndërtimin e tubacionit që e lidh TEC-in e Vlorës me pikën e daljes së gazsjellësit TAP në Fier. Në dokumentet e tenderit, shteti ka zgjedhur si opsion të preferuar mosgarantimin e blerjes së energjisë elektrike të prodhuar nga ky TEC për të mos ngarkuar Buxhetin e Shtetit me kosto. Nëse procedura do të rezultojë e suksesshme, kompania që do të operojë TEC-in pasi të kryejë investimet e lart përmendura do t’ia dorëzojë shtetit veprën në vitin e 20-të të koncesionit” shprehet MIE.

Sicred
WP Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com