KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Mianmari drejt një katastrofe humanitare
Mianmari drejt një katastrofe humanitare

Mianmari drejt një katastrofe humanitare

OKB-ja i trembet një katastrofe humanitare në Mianmar (Birmani), ku vetëm gjatë 24 orëve të fundit, 20 mijë myslimanë “Rohingia” kanë kaluar kufirin me Bangladeshin. Grupet e të drejtave të njeriut po i bëjnë thirrje qeverisë së Mianmarit të lejojë hyrjen e monitoruesve në zonat e prekura nga ky fenomen, për të mësuar se çfarë po ndodh saktësisht atje.
Që nga shpërthimi i dhunës më 25 gusht, 60 mijë pjesëtarë të këtij komuniteti janë shpërngulur në vendin fqinj, sipas të dhënave të agjencisë ndërkombëtare të refugjatëve, UNHCR. Java e fundit e gushtit ka sjellë episodet më të egra të dhunës sektare në Mianmar, prej vitesh të tëra, me forcat vendase të sigurisë dhe militantët “Rohingia” që akuzojnë njëri-tjetrin për djegie të fshatrave dhe masakra në masë. Gati 400 persona janë vrarë sipas zyrtarëve të mbrojtjes, shumica kryengritës.
Ushtria e Mianmarit pretendon se janë miliantët, ata që i kanë vënë flakën mijëra shtëpive, por dëshmitë e refugjatëve “Rohingia” në Bangladesh tregojnë të kundërtën. Ata thonë se banesat e tyre i kanë shkatërruar forcat e sigurisë, të cilat i veshin edhe me përgjegjësinë e masakrave ndaj civilëve.
“Rohingiat” në Mianmar trajtohen si “rezidentë etnikë”, e shpeshherë u mohohet edhe e drejta e nënshtetësisë. “Human Rights Watch” jep alarmin se gjendja është shumë më e keqe nga sa mendohej, duke cituar në mbështetje të deklaratës së saj edhe pamjet satelitore që tregojnë nivelin e gjerë të shkatërrimeve në fshatrat myslimane të shtetit verior Rakhine.

Sicred