KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Mia Enell: Art për ëndërrat

Mia Enell: Art për ëndërrat

Mia Enell, është një artiste e njohur jo vetëm në Suedi. Kur erdhi për herë të parë në Shqipëri thuajse nuk dinte asgjë për artin vendas, por tashmë është rikthyer jo vetëm për të vizituar galeritë e Tiranës, por edhe për të çelur ekspozitën e saj të parë personale në galerinë e COD. Nën titullin “Now, Now, Now” punët e artistes që ofrojnë një ekuilibër mes pikturës dhe vizatimeve na ftojnë të reflektojmë mbi raportin që secili prej nesh ka me kohën. “Koha është diçka shumë e rëndësishme sepse duket sikur nuk na del, nuk na mjafton më. Kemi kaq pak kohë të ulemi dhe të meditojmë apo ti kushtojmë kohë poezisë që është shumë e rëndësishme sidomos në kohët e sotme. Kam punuar në një vizatim pikërisht mbi këtë koncept, ku kam menduar për jetën, vdekjen dhe kohën që na është dhënë këtu dhe e ndjeva se çdo çast është tani, sërish është tani dhe dy sekonda me vonë është prapë tani. Por shpejtësia e kohës dhe dhe momenti i caktuar që është i pakohë dhe i paçmuar” thotë Mia Enell për gazetaren e RTSH Mira Tuci.
Si artiste ajo nuk e koncepton dot çensurën madje as autoçensurën, përvojë me të cilën ajo u ndesh teksa vizitoi pavionin e realizmit socialist në Galerinë Kombëtare të Arteve. “Verën e kaluar erdha me familjen time për të vizituar Shqipërinë dhe ishte diçka poetike, interesante dhe krejt e re për mua pasi thuajse nuk dija asgjë për Shqipërinë dhe as nuk kisha parë me herët punët e ndonjë artisti shqiptar. Por gjëja që më preku ishte se kur shkova të vizitoj Galerinë Kombëtare të Arteve dhe pashë artin shqiptar të viteve 40 – 90 dhe pata një tur prej gati një orë nga Genti Gjikola i cili më shpjegoi në thellësi. Ishte një përvojë shumë prekëse sepse une kam lindur në Suedi ku shumë gjëra i merrja të mirëqena, jam rritur në një familje ku të dy prindërit ishin artistë dhe ku ishe i lirë të bëjë ç’të dojë. Në vitet ’70 sidomos, ku thuajse gjithçka ishte “no limits” dhe në të njëjtën epokë të mendosh kontekstin në të cilin u është dashur të punojnë artistët shqiptarë, kjo gje me ka prekur shumë” vazhdon rrëfimin e saj Mia Enell.
Çdo vepër e Enell ofron një trajektore personale që gërsheton botën e ëndrrave, realitetit dhe fantazisë, me sferat e artit, estetikës, metafizikës dhe subjektivitetit. “Për mua është esenciale të kem paqe brenda dhe të dëgjoj dhe perceptoj idete, imazhet dhe emocionet që vijnë tek unë, të vëzhgoj jetën përreth meje. Sidoqë të jetë subjekte të mëdha apo të vogla të gjitha na prekin ne” thotë për RTSH artisjta suedeze.
Veprat e Mia Enell gjenden në koleksione të mëdha ndërkombëtare dhe private, përfshirë L.A.C.M.A., Muzeun e Arteve në Los Anxheles; Koleksionin Borghese,Itali, Koleksionin Ahrenberg, Zvicër; Statens Konstråd- Agjencinë Kombëtare të Artit Publik, Suedi;Fondin e Depozitave e Investimeve dhe FNAC-Fondin Kombëtar të Artit Bashkëkohor në Paris, Francë.

(Visited 70 times, 9 visits today)
Sicred