KRYEFAQJA » LAJME » Meta thirrje të rinjve: Bëhuni dhurues të rregullt të gjakut!

Meta thirrje të rinjve: Bëhuni dhurues të rregullt të gjakut!

Presidenti Ilir Meta u ka bërë thirrje të rinjve shqiptarë të luajnë një rol shumë të rëndësishëm për ndërgjegjësimin e të gjithë qytetarëve për t’u bërë dhurues të rregullt të gjakut. Thirrjen e tij zoti Meta e bëri nga Divjaka, etapa e parë e një vizite në kuadër të nismës së ndërmarrë prej tij dhe “Aleancës për Dhurimin e Gjakut”. Në Qendrën Kulturore të Bashkisë së Divjakës, ku u dhurua gjak nga shumë qytetarë, punonjës të administratës dhe të institucioneve të tjera vendore në varësi të kësaj bashkie, zoti Meta tha se kjo seancë “ka për qëllim t’u vijë në ndihmë kryesisht të sëmurëve talasemikë, kronikë, atyre që kryejnë ndërhyrje kirurgjikale apo që pësojnë aksidente”. “Fatkeqësisht, zona juaj ka përqindjen më të lartë të talasemikëve në vendin tonë: 7,3%. Kjo do të thotë që nevoja për gjak është e vazhdueshme” tha zoti Meta. Ai bëri thirrrje për solidaritet dhe humanizmit për të ndihmuar këta të sëmurë duke dhuruar gjak rregullisht dhe jo në mënyrë sporadike. “Dëshiroj t’ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve të shëndetshëm të zonës së Divjakës, Lushnjës, Fierit, Beratit, zona ku përqindja e talasemisë është më e lartë, të bëhen dhurues të rregullt të gjakut për të ndihmuar të gjithë bashkëqytetarët e tyre” tha presidenti Meta. Ai vlerësoi se “Është shumë e rëndësishme t’u japim informacion fëmijëve dhe të rinjve, që në bankat e shkollës, mbi gjakun, talaseminë, parandalimin e saj, nevojën e dhurimit të gjakut etj, në mënyrë që të ulim numrin e të sëmurëve me talasemi. Duhet të punojmë të gjithë së bashku dhe të ndërmarrim fushata të vazhdueshme ndërgjegjësimi mbi këtë çështje me rëndësi jetike. Jam i bindur që të rinjtë do të luajnë një rol shumë të rëndësishëm për këtë kauzë jashtëzakonisht humane” tha presidenti Ilir Meta.

Para Mbrapa
Meta thirrje të rinjve: Bëhuni dhurues të rregullt të gjakut!
Para Mbrapa
Sicred