KRYEFAQJA » LAJME » Meta pritet nga Ivanov: E vetmja mënyrë për të përballuar sfidat e globalizmit është bashkëpunimi
Meta pritet nga Ivanov: "E vetmja mënyrë për të përballuar sfidat e globalizmit është bashkëpunimin i ngushtë në nivel dypalësh dhe atë rajonal"

Meta pritet nga Ivanov: E vetmja mënyrë për të përballuar sfidat e globalizmit është bashkëpunimi

Presidenti shqiptar Ilir Meta, është pritur të hënën me të gjitha nderet në Shkup nga homologu i tij, presidenti maqedonas Gjorge Ivanov, duke shënuar fillimin e një vizite dy ditore në Maqedoni. Pas interpretimit të himneve të të dy shteteve dhe nderimeve ushtarake të rastit, të dy Presidentët zhvilluan një takim kokë më kokë dhe më pas drejtuan bisedimet e zgjeruara mes dy delegacioneve.

Presidenti Meta vlerësoi lidhjet e ngushta historike e kulturore dhe theksoi se ato janë ekzistenciale dhe përcaktuese për të ardhmen e marrëdhënieve mes dy vendeve tona. “E vetmja mënyrë për të përballuar sfidat e globalizmit është bashkëpunimin i ngushtë në nivel dypalësh dhe atë rajonal” u shpreh Presidenti Meta. Në mënyrë të veçantë Presidenti Meta vlerësoi frymën dhe vizionin e përbashkët euroatlantik që i karakterizon ato dhe duke përshëndetur zhvillimet dhe angazhimet e marra nga Qeveria e re e Maqedonisë, për përmirësimin e klimës dhe harmonisë ndëretnike.
Presidenti Meta, vlerësoi  hapat konkrete në drejtim të miratimit të ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe. Ai  i konsideroi shqiptarët në Maqedoni, një faktor të rëndësishëm për stabilitetin dhe zhvillimin e vendit dhe të orientuar qartë drejt BE-së dhe NATO-s, ndërsa pakicën kombëtare maqedonase në Shqipëri, si urë lidhëse të fuqishme miqësie.  Presidenti Meta shprehu besimin se ligji i ri për pakicat kombëtare në Shqipëri do të krijojë hapësirën e duhur për ruajtjen e identitetit të saj sipas standardeve më të mira evropiane. Duke perifrazuar Nënë Terezën e cila i bashkon të dy vendet, Presidenti Meta theksoi se shprehja e saj: “nëse i gjykojmë njerëzit pa fund nuk mbetet më kohë për t’i dashur ata”; i shërben si njerëzve ashtu edhe fqinjëve.

Sa i përket bashkëpunimit dypalësh, Presidenti Meta nënvizoi domosdoshmërinë e zhvillimit të projekteve të përbashkëta, veçanërisht në fushën e infrastrukturës lidhëse mes dy vendeve dhe shprehu besimin se, mbledhja e ardhshme e dy Qeverive në Pogradec, do t’i japë një shtysë marrëdhënieve dypalëshe, jo vetëm në planin politik, por edhe në atë ekonomik dhe do të evidentojë projektet e përbashkëta në kuadër të procesit të Berlinit. “Ballkani, i cili ka prodhuar shumë histori e retorikë konfliktuale në të shkuarën, sot ka më shumë nevojë për bashkëpunim konkret dhe jo retorikë bashkëpunuese”, – theksoi Presidenti Meta.

Presidenti Meta e siguroi edhe njëherë Presidentin Ivanov për mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe rëndësinë që ka për stabilitetin dhe sigurinë në rajonin e Ballkanit.

Sicred