KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Merkel: Bashkimi Evropian po përgatitet për kundërmasa ndaj tarifave doganore të SHBA-së
Merkel: Bashkimi Evropian po përgatitet për kundërmasa ndaj tarifave doganore të SHBA-së

Merkel: Bashkimi Evropian po përgatitet për kundërmasa ndaj tarifave doganore të SHBA-së

Evropa do të zbatojë kundërmasa ndaj tarifave doganore të SHBA-së për çelikun dhe aluminin. Kancelarja gjermane Angela Merkel shprehu keqardhjen për vendimin e papritur të Presidentit Donald Trump për t’u tërhequr nga deklarata e grupit G7. “Shpallja e tërheqjes, përmes një mesazhi në twitter na kthjellon, por edhe na dëshpëron” – tha Merkel në një intervistë për televizionin publik gjerman ARD pas samitit të G7 në Kanada. Ashtu si Kanadaja, Bashkimi Evropian po përgatitet për kundërmasa për tarifat doganore të SHBA-së për importet e çelikut dhe aluminin, tha Merkel. Pas kthimit të saj në Berlin një zëdhënës i qeverisë kishte thënë se Gjermania është dakord me deklaraten për të cilën u diskutua në Kanada. Edhe Bashkimi Evropian reagoi pas tërheqjes së Trumpit. Një zëdhënës i Presidentit të Këshillit të BE, Donald Tusk, tha “Ne i përmbahemi deklarates siç është rënë dakord nga të gjithë pjesëmarrësit.” SHBA-ja dhe gjashtë vendet e tjera të G7 – përfshirë edhe aleatët kryesorë perëndimorë të Amerikës Gjermaninë, Francën, Britaninë dhe Kanadanë – arritën që pavarësisht dallimeve të thella mbi çështjet e tregtisë dhe ndryshimit të klimës, të bien dakord në samit në minutën e fundit për deklaratën përfundimtare prej tetë faqesh. Por pas kësaj Trumpi u tërhoq. Trump e argumentoi në Twitter largimin e tij prej deklaratës përfundimtare – deri tani një hap unikal në historinë 40-vjeçare të G7 – me qëndrimin e presidentit kanadez Trudeau ndaj tarifave doganore amerikane për çelikun dhe aluminin. Trudeau tha në konferencën përfundimtare për shtyp, se tarifat doganore kundër BE-së dhe Kanadasë, që Trumpi i justifikon me ruajtjen e interesave amerikane të sigurisë, janë “disi ofenduese” dhe se Kanadaja, nga ana e saj, do të vendosë po ashtu tarifa më të larta doganore ndaj mallrave amerikane.

Sicred