KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Mei: Shtetasit e BE-së nuk do dëbohen menjëherë

Mei: Shtetasit e BE-së nuk do dëbohen menjëherë

Kryeministrja e Britanisë, Tereza Mei, ka premtuar se shtetasit e vendeve të Bashkimit Evropian nuk do të dëbohen menjëherë nga Britania, kur kjo të largohet nga Bashkimi Evropian, në proçesin e njohur si Brexit. Kjo deklaratë e saj është pritur me kënaqësi nga udhëheqësit e BE-së duke e quajtur një fillim të mirë në negociatat për daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian. Sipas propozimit të zonjës Mei, shtetasve të BE-së me leje të rregullt të qëndrimit në Mbretërinë e Bashkuar, nuk do të kërkohet të largohen dhe do tu ofrohet mundësi për rregullimin e gjendjes së tyre pas Brexitit. Kryeministrja tha se shtetasit evropianë, që kanë jetuar në Britaninë e Madhe për të paktën 5 vite, do të përfitojnë të drejta të barabarta me shtetasit Britanikë. Britania e Madhe nuk dëshiron që rezidentët aktualë të largohen me detyrim, as të ndajë familjet e tyre. Marrëveshja do të ofrojë garanci për rreth 3 milionë evropiane, të cilët kanë krijuar familje, kanë ngritur jetesën dhe karrierën e tyre, e gjithashtu kanë kontribuar shumë në shoqërinë britanike. Kurse ata evropianë që shkojnë në Britani pas daljes së vendit nga BE-ja në mars 2019, do të kenë në dispozicion 2 vjet për të rregulluar statusin e emigrantit. Por zonja Mei tha se propozimet do të zbatohen vetëm nëse të njëjtat të drejta do t’u ofrohen edhe shtetasve britanikë në BE.