KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Mediat e huaja reagojnë për zgjedhjet, PS fituese e zgjedhjeve

Mediat e huaja reagojnë për zgjedhjet, PS fituese e zgjedhjeve

Pjesëmarrja e ulët në zgjedhjet parlamentare të 2017-es nuk ka kaluar pa u vënë re nga mediat e huaja, të cilat shkruajnë se këtë vit shqiptarët duket se zgjodhen të braktisnin kutitë e votimit. Një numër i ulët i qytetarëve shqiptare votuan të dielën në zgjedhjet e përgjithshme që synonin t’u jepnin dy partive më të mëdha politike një shans për të punuar drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, shkruan televizioni amerikan “ABC News”. Votimi përfundoi në orën 20:00 pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi të zgjasë votimin për një orë për shkak të pjesëmarrjes së ulët që u atribuohet festimeve fetare, temperaturave të nxehta që arrinin 39 gradë. Vendimi shkaktoi kaos në disa vende, ndërkohë që shumë njerëz priten në radhë për të hedhur fletëvotimet, shton më tej televizioni. Mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është çelësi për nisjen e bisedimeve për anëtarësimin e kombit 2.9 milionë banoresh në BE. “The New York Times” thekson se marrëveshja e arritur në maj i dha fund bojkotit parlamentar tre-mujor nga demokratët dhe lideri i tyre Lulzim Basha, i cili ka deklaruar vazhdimisht se proçesi zgjedhor është lehtësisht i manipulueshëm, dhe se qeveria nuk mund të siguronte zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ndërkohë “EuroNews” shkruan se pas fitimit të statusit si vend kandidat për t’u bashkuar me BE-në, Tirana ka luftuar për të kaluar reforma të rëndësishme dhe jetike, si reformimi i sistemit të korruptuar të drejtësisë. Në një shkrim të saj kushtuar zgjedhjeve në shqipëri, Euroneës raporton se Partia Socialiste është fituese e zgjedhjeve, me një rezultat mes 45-49 % të votave. Në këtë shkrim raportohet se, “Edi Rama rikthehet në pushtet, por këtë radhë ai ka siguruar më shumë se 71 vende në parlamentin 140 anëtarësh”. Gjithashtu “Euronews”, raporton se Partia Demokratike do të marrë 34 % të votave. Në këtë shkrim “Euronews”, flet edhe për pjesëmarrjen e ulët të votuesve në proçesin zgjedhor, që llogaritet rreth 10 % më pak se katër vjet më parë.
Prestigjiozja REUTERS gjithashtu shkruan për fitoren e Partisë Socialiste, e cila do t’i mundësonte partisë qeverisë një tjetër mandat për të përmbushur reformën në drejtësi, jetësore për anëtarësimin në familjen Evropiane. Sipas Reuters të dyja partitë më të mëdha në vend, Partia Socialiste dhe ajo demokratike kërkonin një shumicë prej 70 vendesh në parlament për të formuar qeverinë, meqë asnjëra prej tyre nuk arriten t’i kishin të vetme në zgjedhjet e vitit 2009 apo 2013. edhe Reuters nuk lë pa përmendur pjesëmarrjen e ulët në votime, megjithë shtyrjen me një orë të orarit të mbylljes së qendrave të votimit. Edhe në shtypin gjerman i kushtohet vëmendje zgjedhjeve të 25 qershorit në Shqipëri. Numri i ulët i votuesve dhe numërimi i deritanishëm nxjerrin fitues socialistët, janë në qendër të artikujve. Agjencia gjermane e lajmeve, Deutsche Velle shkruan se Partia Socialiste qeverisëse nën kryeministrin Edi Rama është fituesja e zgjedhjeve të 25 qershorit. Kjo parti mund të dalë fituese me deri në 79 mandate, bazuar në të dhëna të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ndërsa demokratët opozitare kanë arritur deri në 41 mandate. Partia Lëvizja Socialiste për Integrim mund të llogarisë me 20 mandate, shkruan Deusche Velle.

Sicred