KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Medea në teatrin eksperimental

Medea në teatrin eksperimental

Nuk është vetëm titulli por edhe një kast artistësh i blinduar, me emrat më të shkëlqyer të historisë së teatrit që e bën ftesën për në Teatrin Eksperimental këtë fundjavë akoma më joshëse. Është Medea, tragjedia e Euripidit që nga antikiteti grek vjen dhe merr trajtat e aktores Luiza Xhuvani në konceptimin e regjisorit grek Dimitris Mylonas. “Medea është një personazh që dashuron me shumë pasion, jep të gjitha në atë dashuri dhe pikërisht kjo që e shkatërron dhe e sjell në atë përfundim që nuk është edhe aq i mirë”. Teksa në shqip e ka sjellë aktori Viktor Zhusti, duket se gjithë trupa ka marrë parasysh riskun e ringjitjes në skenë të një vepre e cila nuk resht së luajturi në të gjitha gjuhët e botës.  “Besoj se siç gjykojnë edhe aktorët që e kanë ktë lëndë të parë për të mishëruar rolet e tyre që teksti, ideja arrin i qartë por edhe në një nivel të mirë intelektual”. Ndërsa aktorja Roza Anagnosti tha se “tragjeditë e lashtësisë gjithmonë fillojnë me një prolog dhe mbrenda prologut ti duhet të tregosh gjithë tragjedinë dhe më pëlqen që ajo bën thirrje të parandaloje”. Ndërsa protagonistja e një tjetër tragjedie të Euripidit, Medea vjen nga Luiza Xhuvani që bashkë me Alfred Trebickën në petkat e Jasonit shfrytëzojnë përvojat e tyre jetike dhe psikologjike gërshëtuar me konceptimin krejt autentik të regjisorit. “ Duke qënë sfidë është shumë e rëndësishme që vihet nga një krijues që e ka në gen antikitetin. Jam përpjekur të shfrytëzoj gjithçka nga bagazhet e mija, përjetimet e mija profesionale por edhe jetike” tha aktorja Luiza Xhuvani. “Në kaq vite sa punoj unë nuk kam luajtur ndonjëherë në antikitet. Më erdhi mirë që do hyj në antikitet dhe do hyj me Jasonin që është një figurë ajo që është” theksoi mes të tjerash aktori Alfred Trebicka. Medea në teatrin eksperimental konsiderohet një nga produksionet më gjigande të teatrit për këtë sezon teksa drejtori Kiço Londo nuk ka dashur të komentoje haptazi buxhetet e vogla.  “Për çdo hap në dritë duhet paguar patjetër taksa e hijes, për çdo hap në errësirë duhet paguar gjithmonë mungesa e dritës”. Në një konstelacion yjesh nuk mungon as aktori Ahmet Pasha ndërkohë që ka edhe një ndërthurje me brezat e rinj si Gjergj Mena dhe Kristian Koroveshi. Medea ngjitet premierë të shtunën në mbrëmje ndërkohë që premton të trondisë sërish shpirtrat e epokës sonë me një zë nga kujtesa e kohës.

Sicred