KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Mbyllet me sukses edicioni i 55-të i Festivalit të Këngës në RTSH

Mbyllet me sukses edicioni i 55-të i Festivalit të Këngës në RTSH

Mbyllet me sukses edicioni i 55-të i Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar. Kupën e këtij edicioni jubilar e ngriti këngëtarja Lindita Halimi me këngën “Botë”, kompozim i Klodian Qafokut dhe tekst nga Gerald Xhari. Fitorja e çmimit të parë të Festivalit të Këngës i jep automatikisht të drejtën këngës “Botë” të përfaqësoje Shqipërinë në Eurosongun e vitit 2017.

Për kompozitorin e këngës Klodian Qafoku kjo është hera e dytë që jo vetëm fiton Festivalin e Këngës, por përfaqëson muzikën e lehtë shqiptare në Festivalin Europian. Ai është autor i këngës “Zjarr e ftohtë” kënduar nga Luis Ejlli në Eurosongun e vitit 2006 në Athinë.

Autori i tekstit Gerald Xhari, njohur ndryshe si Big Basta, shprehet plot besim se mesazhi aktual i këngës “Botë” do të përcillet po aq bukur sa në skenën e Festivali të Këngës, edhe në atë të Eurosongut.

Nata finale e Festivalit të 55-të të Këngës në Radiotelevizion, me drejtor Rezar Agën, ka nisur me një moment mjaft befasues dhe emocionues. Për herë të parë në Shqipëri me teknikën e hologrames është sjellë ikona e muzikës shqiptare Vaçe Zela. Pas disa vitesh mungese, e konsideruar si këngëtarja e pakrahasueshme dhe e pazëvëndësueshme deri më sot nga asnjë tjetër, Vaçe Zela, u shfaq e “gjallë” duke përshëndetur shikuesit dhe teleshikuesit me hitin e saj “Moj e bukura Shqipëri”. Shfaqja magjike u duartrokit gjatë nga publiku, ndërsa prezantuesit e festivalit Ledina Çelo dhe Kasem Hoxha, nuk i fshehen emocionet.

Ndërsa këngëtaret konkurrente i linin radhën njëri-tjetrit, skena e festivalit, ideuar me mjeshtëri nga skenografi Albi Cifligu dhe nën regjinë e Agron Vulajt dhe Astrit Idrizit, rezervoi një tjetër surprizë.

Sopranoja me famë botërore Inva Mula risolli edhe një herë në memorien e publikut një nga këngët më të bukura kënduar nga babai i saj Avni Mula, “Shqipëri o vendi im”, shoqëruar në piano nga Genc Tukiqi.

E ftuar në festivalin e këngës si prezantuese, këngëtarja Ledina Çelo, në natën e tretë mori duartrokitje për një kolazh me këngë të festivaleve ndër vite, të cilat i këndoi së bashku me këngëtarin Sidrit Bejleri.

Nata finale ngjiti në skenë 14 konkurrentë, nga 24 që u prezantuan këtë vit në festival. Në këtë edicion vlerësim i tyre u bë jo vetëm nga juria profesioniste, por edhe nga votat e publikut.

Sicred