KRYEFAQJA » LAJME » Mbyllet java e 18 e Kategorisë Superiore

Mbyllet java e 18 e Kategorisë Superiore

Ndeshja mes Partizanit dhe Kamzës ka ulur siparin e javës së 18 dhe fazës së dytë të Kategorisë Superiore. Djemtë e drejtuar nga zëvendës trajneri Dalipi iu imponuan në “Selman Stërmasi” Kamzës me dygolëshin e Asanit, ndërsa Plaku ngushtoi shifrat në 2-1.

Ndërkaq, Skënderbeu kryesues fitoi në Shkodër. Edhe pse Vllaznia kaloi e para në avantazh me anë të Berishës që në minutën 6,  korçarët barazuan me anë të Vangjelit pa u mbyllur pjesa e parë. Në të dytën djemtë e Dajës shënuan edhe tre herë të tjera me Lilaj, Muzaka dhe Xhejms, duke çuar shifrat në 1-4.

Supersfida mes Kukësit dhe Flamurtarit, e transmetuar drejtpërdrejt në rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, u nda në barazim 1-1. Polemikat e shumta shoqëruan këtë takim, që kulmoi me një 11-metërsh të dhënë në dëm të vlonjatëve për prekje të topit me dorë nga mbrojtësi Pollozhani në të 82-n. Elis Bakaj shënoi nga pika e bardhë, duke iu përgjigjur golit të brazilianit Alves të shënuar në mbyllje të pjesës së parë.

Dy përballjet e tjera, Laçi – Teuta dhe Lushnja – Luftëtari përfunduan në rrjeta të paprekura, duke e bërë edhe më interesante luftën për mbijetesë.

Për gjithçka nga ky raund i Superligës, golat, moviola, analiza teknike, do të keni keni mundësinë t’i ndiqni në emisionin “Rubrika Sportive” duke nisur nga ora 22:30 në RTSH 1 HD dhe RTSH Sport.

Sicred