KRYEFAQJA » LAJME » Mbi 1500 forca policie të angazhuar për protestën e neserme të PD-së

Mbi 1500 forca policie të angazhuar për protestën e neserme të PD-së

Më shumë se 1500 forca policie nga komisariatet, ato të rendit, njësia speciale, shqiponjat, forcat operacionale, policia rrugore si dhe ato të ndërhyrjes së shpejtë, janë angazhuar për protestën e paralajmëruar nga Partia Demokratike e cila do të zhvillohet mesditën e të shtunës. Drejtoria e  Policisë së Tiranës, ka marrë masa për garantimin e rendit dhe sigurisë publike për zhvillimin e tubimit nga ora 12:00 deri në orën 16:00, nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” deri tek kryqëzimi i Rrugës “Ismail Qemali” me Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Si rrjedhojë e këtij marshim – proteste, do të ketë bllokime të pjesshme të trafikut në segmentet rrugorë: Kryqëzimi i Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, me Bulevardin “Zhan D’Ark”, Kryqëzimi i Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, me Bulevardin “Bajram Curri”. Si dhe ndalohet parkimi dhe qarkullimi i të gjitha kategorive të mjeteve në segmentet rrugorë: Nga kryqëzimi i Rrugës “Myslym Shyri” me Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” deri tek kryqëzimi i Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” me Rrugën “Ismail Qemali”, nga mesdita deri në orën 16:00. Burimet i thanë Televizionit shqiptar se në vijën e parë të protestës do të rreshtohen efektivë të patrullave të kryeqytetit kryesisht efektivet gra e vajza. Ndërsa në gadishmëri do të jenë njësitë speciale, shqiponjat, forcat operacionale dhe ato të Ndërhyrjes së Shpejtë. Nuk do të mungojnë edhe strukturat e emergjencave si ambulancat apo zjarrëfikëset. Pika kontrolli do ngrihen edhe në akset kryesore të hyrje-daljet në tiranë, të cilat kontrollojnë persona të dyshuar se mund të jënë problematik dhe të armatosur.