KRYEFAQJA » LAJME » Maxhoranca në një aksion të ri politik

Maxhoranca në një aksion të ri politik

Mazhoranca socialiste ka futur në agjende prioritare dy zhvillime të rëndësishme, që pritet të kenë ndikim të fortë në jetën politike të vendit. Bëhet fjalë për mandatimin e një prokurori të përgjithshëm tranzitor dhe shkarkimin e kreut të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Mëngjesi i së martës mblodhi në zyrën e shefit të qeverisë Rama, bërthamën juridike të PS, anëtarët e komisionit të ligjeve, përfshirë ministren e drejtësisë Etilda Gjonaj dhe ministrin e brendshëm Fatmir Xhafaj. Për më shumë se 90 minuta ata kanë patur në fokus konsultimin e rrugëve ligjore për ndërmarrjen e këtyre dy nismave, qe pritet ti kalojnë parlamentit shqiptar në seancë plenare më 30 Nëntor.
Arsyet e këtyre ndërmarrjeve vijnë pasi prokurorit të përgjithshëm Adriatik Lalla, i përfundon mandati 7 vjeçar në 4 Dhjetor 2017. Më herët, socialistët nëpërmjet komunikimeve mediatike kanë njoftuar se pas 4 Dhjetorit në krye te organit të akuzës do ketë një prokuror të ri të përgjithshëm, që do të mbajë këtë detyrë për një periudhë tranzitore.
Ndërsa lëvizjen për shkarkimin e kreut të KQZ Klement Zguri, socialistët e ndërmarrin, pasi e quajnë të shuar dhe pa efekt marrëveshjen politike Rama-Basha, për një kryetar konsensual të KQZ. Si shkak ishte pretendimi se Klement Zguri, sipas socialistëve në heshtje, nuk ndërmori asnjë nismë në KQZ për shkarkimin e kreut të Bashkisë së Mallakastrës, i gjetur në shkelje të ligjit të dekriminalizimit. Maxhoranca thotë se Zguri ka shkelur kodin zgjedhor dhe ligjin e dekriminalizimit. Ndaj në seancën e 30 nëntorit, parlamenti pritet të ketë edhe propozimin për shkarkimin e kreut të KQZ.
Me këto lëvizje, socialistët do të kenë në duar zgjedhjen e dy posteve të rëndësishme të institucioneve kushtetuese, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Por me shumë interes pritet të mësohet se cila do të jetë rruga që do të zgjedhin ata.

Sicred