KRYEFAQJA » LAJME » “Masterchef Albania Junior” nis sot në RTSH

“Masterchef Albania Junior” nis sot në RTSH

Sot në orën 20:35 nis në RTSH “MasterChef Albania Junior”.  Ajo është e para garë e shefave të vegjël të kuzhinës, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Ballkanin. “MasterChef Albania Junior” do të zgjasë 12 javë, dhe në të marrin pjesë fëmijë të apasionuar pas gatimit, nga e gjithë Shqipëria nga mosha 8-14 vjeç.
Melsi Qirici kryeredaktore e “MasterChef Junior” në RTSH thotë se “Kanë qenë rreth 200 fëmijë që kanë marrë pjesë në audicionet e para. Fillimisht janë prezantuar secili me pjatën e tyre dhe më pas janë përzgjedhur një numër i kufizuar prej 32 fëmijësh. Në fund të dy episodeve të para do të përzgjidhen 16 fëmijë që janë konkurentët shqiptarë të “MasterChef Albania Junior”. Episod pas episodi në fund do të mbeten dy konkurentët finalistë në garë” spjegon kryeredaktorja e “MasterChef Albania Junior” Melsi Qirici.
“Jemi befasuar kur u përballëm me faktin se në Shqipëri ka kaq shumë fëmijë të talentuar që janë të apasionuar pas gatimit” shton ajo. “Ju do të shikoni pjata befasuese në “MasterChef Junior”. Janë fëmijë fantastikë, mënyra se si i përgatisin ushqimet, se si gatuajnë” thotë Qirici. Sipas saj fëmijët shikojnë shumë rreth gatimit në yotube dhe marrin gjithë informacionin e nevojshëm, si për produktet dhe gjithshçka.
Por cilët do të jenë masterChefat e mëdhenj, që do të gjykojnë mastershefat e vegjël? Kryeredaktorja e “MasterChef Albania Junior” Melsi Qirici zbulon emrat e të mirënjohurit Sokol Prenga, Julian Zguro dhe Xheraldina Vula që është surpriza e këtij edicioni. Ajo prej 11 vjetësh drejton në RTV 21 që dreton një emision shumë të sukseshëm gatimi.
Është mjaftë interesante që një pjesë e konsiderueshme e fëmijëve që dinë të gatuajnë janë formësuar si të tillë prej gjysheve. “Kuptohet janë të gjithë amatorë, nuk kanë bërë kurse apo trainime specifike. Një pjesë kanë mësuar nga prindërit e tyre, por janë shumë interesantë ata që vijnë nga eksperiencat që janë mësuar të gatuajnë me gjyshet në shtëpi” thotë Qirici, duke shtuar se fëmijët kanë mesuar të gatuajnë nga gatimet tradicionale tek kuzhina gourmet.
Por çfarë do të përfitojë fitimtari i kupës “MasterChef Albania Junior”? Kësaj pyetjeje kryeredaktorja e “MasterChef Albania Junior” Melsi Qirici i përgjigjet: “Ka një gjë interesante që fëmijët nuk kanë ambicjen e të rriturve që duan të dalin patjetër të parët, sepse ata janë shumë të pastër në natyrën e tyre dhe shumë të çiltër. Ata i marrin gjërat me natyrshmëri dhe sportivitet. Për fituesin veç kupës së “MasterChef Albania Junior” është edhe një çmim shumë interesant: Një udhëtim bashkë me familjen në Disneyland”.