KRYEFAQJA » LAJME » Masakra e Lushnjës, zbulohen autorët

Masakra e Lushnjës, zbulohen autorët

Policia thotë se ka identifikuar autorët e atentatatit të një dite më parë në Lushnje, ku mbetën të vrarë dy shokët Jurger Hoxha, 26 vjeç dhe Zamir Latifi, 26 vjeç. Sipas saj ata janë Laert Haxhiu dhe Orgest Bilbili, që janë shpallur në kërkim. Policia thotë se ngjarja e djeshme ka lidhje me ngjarjen e një viti më parë, po në qytetin e Lushnjes, ku është tentuar të vriten me armë zjarri Xhulio Shkurti dhe shoku i tij Sajmo Xhelili, edhe dje objektiva të atentatit. Në atë kohë autorët e dyshuar ishin Laert Haxhiu dhe Orgest Bilbili. Ata u shpallën në kërkim për kryerjen e veprave penale “Vrasje e mbetur në tentativë e kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtje pa leje e armëve të zjarrit dhe municioneve”.
Laert Haxhiu nuk është emër i panjohur për drejtësinë. Ai është i dënuar me 35 vite burg në mungesë për një vrasje ndodhur në korrik të 2011. Dikur anëtar i bandës famëkeqe të Aldo Bares,(Alfred Shkurti) i dënuar me burgim të përjetshëm, Haxhiu ka tentuar të vrasi nipin e tij Xhulio Shkurti. Dyshohet se mes tyre ka llogari të pambyllura kriminale. Sajmo Xhelili, shenjestra e atentatit të djeshëm po mbahet në një vend të sigurtë nga policia si dëshmitari kryesor i ngjarjes, ndërsa Xhulio Shkurti, djali i vëllait të vrarë të Aldo Bares është larguar nga vend ngjarja pesë minuta para atentatit.
Ndërkohë janë dhënë më shumë hollësi rreth masakrës. Mbi trupat e dy viktimave janë lëshuar 41 plumba, nga të cilët 31 në trupin e Hoxhës dhe 10 në trupin e Latifit. Sipas Prokurorisë së Lushnjes, atentatorët kanë qënë tre persona të pa maskuar. Ata kanë shkuar me një mjet tip Benz nga pjesa perëndimore e qytetit në bulevardin “Shëtitorja e Palmave”, ndërsa shënjestrat e tyre ndodheshin në ambientet jashtë lokalit që gjendej mbi urën e përroit.
Zamir Latifi ka qene i pari që ka pikasur atentatorët dhe ka thirrur: “Largohuni se po na vrasin”. Në këtë momentet 26 vjecari ka vrapuar, por 10 plumba e kanë kapur nga pas. Ndërsa Jurgen Hoxha është shënjestruar dhe mbi të është zbrazur i gjithë karrikatori i “Kallashnikovit”.
Sipas dëshmitareve në vend ngjarje, ndaj viktimave është qëllua me tre armë “Kallashnikov”. Atentatorët nuk janë rezervuar ndonëse ka qenë ora 18 dhe zona ka qenë e mbipopulluar nga qytetarët. Marjus Xhepexhiu, pronar i lokalit ku ndodhi atentati, ka marre disa plumba në trup, dhe ndodhet ne spitalin e Tiranës për mjekim, ndërsa më lehtë është plagosur një kalimtar.
Në Lushnje është kthyer frika e vitit të trazuar 1997, kur qyteti u bë arenë e përplasjes së bandave që kanë lënë pas dhjetra viktima. Më të famshmet janë ato të Aldo Bares (Alfred Shkurti) dhe Artur Dajës. Ky i fundit është vrarë në mënyrë makabre, ndërsa Bare ndodhet në burgim të përjetshëm.

(Visited 223 times, 2 visits today)
Sicred