Ministria e Arsimit dhe Sportit ka kërkuar nisjen e procedimit disiplinor për 10 drejtues arsimorë, në disa qytete të vendit pasi sipas saj ka dyshime të arsyeshme për përfshirje në fushatë zgjedhore. Njoftimi ka dalë nga ministrja teknike e Arsimi dhe Sportit Mirela Karabina. Bëhet fjalë për gjashtë përgjegjës zyre në drejtoritë rajonale dhe 4 drejtorë arsimi. Pranë Komisionit Disiplinor për verifikimin e shkeljeve ligjore po përcillen shkeljet e përsëritura dhe të bëra publike më parë. Me këtë rast Ministria e Arsimit dhe Sportit kërkon nga të gjithë punonjësit e administratës arsimore të vijojnë të kryejnë me përgjegjshmëri detyrat dhe veprimtaritë, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Në fillim të këtij muaji MAS mori në shqyrtim sjelljen e tre drejtuesve arsimorë dhe një punonjësi që dyshej se kishin shkelur ligjin dhe kishin marrë pjesë në fushatën zgjedhore.
