KRYEFAQJA » LAJME » Marrëveshja për emrin, protesta të dhunshme në Shkup

Marrëveshja për emrin, protesta të dhunshme në Shkup

Protesta kundër marrëveshjes për emrin midis Maqedonisë dhe Greqisë u përshkallëzua të dielën mbrëma në dhunë mes policisë dhe një grupi të protestuesve, të cilët tentuan të thyejnë kordonin policor para Kuvendit të Maqedonisë. Forcat e ndërhyrjes së shpejtë përdorën gazin lotsjellës dhe bomba paralizuese për t’i shpërndarë demonstruesit. 25 të ndaluar dhe 7 efektivë policie të plagosur ishte bilanci i mbrëmjes që errësoi euforinë e nënshkrimit të paktit në Prespë. Protestuesit kanë qëndruar gjatë tërë ditës para Kuvendit, ku kanë mbajtur të bllokuar rrugën, në shenjë pakënaqësie ndaj marrëveshjes së arritur. Ata e kanë cilësuar atë si “kapitulluese për popullin maqedonas”.
Me marrëveshjen e nënshkruar të dielën midis ministrave të Jashtëm të Maqedonisë dhe Greqisë, Maqedonia do të njihet si “Republika e Maqedonisë së Veriut”. Pakti historik mori udhë me firmat e ministrave të Jashtëm Dimitrov e Kocias në Psarades dhe fjalimet shpresëdhënëse të Aleksis Tsipras e Zoran Zaev për të ardhmen e fqinjësisë së dy popujve ballkanikë. Ujdia i hap tashmë Maqedonisë së Veriut mundësinë e çeljes së negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian. Vendimi tani duhet të miratohet edhe në parlamentet e dy vendeve, ku partitë opozitare janë hedhur në sulm ndaj tij me arsyetimin se është i dëmshëm për popujt e tyre.
Njohësit e rrethanave politike mendojnë sidoqoftë se Maqedonia del e fituar nga kjo marrëveshje, e cila e lejon që të ruajë identitetin dhe gjuhën, ndërsa edhe Greqia vetë nuk humbet asgjë.

Sicred