KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Maria Jose Siri, Ylli i La Scala-s në Tiranë

Maria Jose Siri, Ylli i La Scala-s në Tiranë

Roli i Chocho San në operan Madamme Butterfly në teatrin La Scala e ka pajisur atë me faktorin plus. Soprano nga Uruguaji, Maria Jose Siri i ka mbijetuar me sukses publikut më kritik në botën operistike në La Scala të Milanos e prej disa orësh ndodhet në Tiranë për të kënduar për fëmijët që nuk dëgjojnë. Një kauzë bamirësie me Spitalin Amerikan e ka sjellë në kryeqytetin shqiptar por prej miqve të saj të shumtë shqiptarë prej kohësh, i duket se e njeh mirë vendin tonë. Soprano shprehet kështu: “Ishte një rast shumë i mire e më shumë se i bukur për të njohur vendin tuaj, vend që ka njohur përmes miqve të mi si Josif Gjipali që më kontaktoi për të ardhur këtu, siç është vellai im i dashur, baritoni Gezim Myshketa, por edhe fqinji im, piktori Agron Hoti. Për mua është sikur ta njoh disi Shqipërinë.” Me një karrierë të shkëlqyer të nisur që në moshën 5 vjeçare nga dashuria për tangon, Maria nuk resht së eksperimentuari me muzikën, pasion që i ka hapur dyert e teatrove më prestigjiozë, nga La Scala, në Arena di Verona, në Berlin, Shën Petërburg, Balshoi e shumë të tjerë. Dashuri qe i ka rezervuar edhe takime dhe bashkëpunime fatlume siç është ai me regjisorin e famshëm France Zeffirelli. “Po, sepse ai ka një vizion të plotë, pasi ai i përket gjeneratës së artistëve që bëjnë absolutisht gjithçka që nga skenografia, kostumet, regjia, dritat, solistët, korin, gjithçka dhe kjo krijon një kuptim dhe një vizion kinematografik. Të punosh me të është si të punosh me një copë historie. Kur shpenzoja kohë me Zefirellin i bëja sa më shumë pyetje të mundesha sepse ai niste të rrëfente për Kallas e përfundonte duke treguar për problemet që kishte patur me elefantët në Arenën e Veronës për operan Aida.”Ndërsa kryejmë intervistën, në skenë është ngjitur tenori Josif Gjipali me arien Nessun dorma, më e preferuara e saj, dhe kjo e shtyn atë të vlerësojë maksimalisht shkollën shqiptare të lirikës. “Për këngëtarët që keni mendoj se keni një shkollë të shkëlqyer dhe një ushqim të mrekullueshëm që shpresoj të provoj këto ditë. Ndjehet në shpirtin e artistëve vitaliteti që unë e asocioj me stilin e jetesës, me një vend diellor dhe të hapur që e rreh deti si Uruguajin tim. Mendoj që keni një shkollë të mirë dhe një traditë të madhe të lirikës.” Të premten në mbrëmje në skenën e Pallatit të Kongreseve, Maria Jose Siri bashkë me yje të tjerë të kantos shqiptare si Josef Gjipali dhe Kastriot Tusha do të sjellin një shpresë për fëmijët që ende nuk e dinë se ç’është mrekullia e quajtur muzikë.

Sicred