KRYEFAQJA » LAJME » Maqedoni: Shefi i OSBE-së thirrje drejtuesve politikë t’i japin fund krizës politike

Maqedoni: Shefi i OSBE-së thirrje drejtuesve politikë t’i japin fund krizës politike

Sekretari i përgjithshëm i OSBE-së Lamberto Zanieri, pas përfundimit të vizitës së tij në Shkup, shprehu shqetësimin lidhur me zhvillimet e fundit në vend duke iu bërë thirrje liderëve politike t’i jepnin fund krizës politike dhe kjo për interesin e të gjithë qytetarëve. “Tejkalimi  i ngërçit politik dhe kthimi i stabilitetit politik duhet të jetë prioriteti kryesor. Çelësi për zgjidhje është në duart e aktorëve politike të cilët duhet t’i përgjigjen sfidës dhe të zgjidhin krizën politike në dobi të të gjithë qytetarëve”, tha Zanieri. “Rezultatet e zgjedhjeve që u mbajtën në dhjetor të vitit 2016 sigurojnë bazë të qëndrueshme për formimin e qeverisë”, theksoi ai. Zanieri dënoi incidentet e kohëve të fundit, që mund të çojnë drejt përkeqësimit të marrëdhënieve ndëretnike dhe theksoi se Marrëveshja e Ohrit është me rëndësi të madhe për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të komuniteteve. Gjatë vizitës së tij në Maqedoni, Zanieri u takua me presidentin Gjorge Ivanov, ministrin e Punëve të Jashtme Nikola Poposki, liderët e partive politike, VMRO-DPMNE, LSDM, BDI, Lëvizja BESA, Aleanca për Shqiptarët dhe PDSH, si dhe me përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar. Ndërkaq kanë vazhduar protestat kundër gjuhës shqipe dhe platformes së partive shqiptare. Protestuesit u grumbulluan përpara qeverisë dhe marshuan deri te kuvendi. Ata kundërshtuan ashpër platformën siç e quajnë nga Tirana ndërkohë që falenderuan presidentin Ivanov për vendimin e tij të fundit për të mos i dhënë mandatin Zaevit. Protestat janë mbajtur edhe nëpër disa qytete të tjera.

Sicred