KRYEFAQJA » LAJME » Maqedoni, presidenti Ivanov kundërshton të nëshkruajë ligjin për gjuhët

Maqedoni, presidenti Ivanov kundërshton të nëshkruajë ligjin për gjuhët

Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov e ka quajtur miratimin e ligjit për gjuhët si “antikushtetues, antishtetëror dhe nxitës të tensioneve ndëretnike”. Reagimi i tij erdhi pasi parlamenti maqedonas miratoi mes tensionesh ligjin për gjuhët, sipas të cilit gjuha shqipe që përdoret nga 20 për qind e popullsisë bëhet gjuhë zyrtare në Maqedoni. “Ligji për përdorimin e gjuhëve, në mënyrën se si është hartuar, por edhe votuar, do të shkaktoj bllokadë të plotë në punën e institucioneve. Në kushte të bllokadës së institucioneve, gjasat janë të mëdha që të hapet edhe çështja e ridefinimit të rendit tonë kushtetues” reagoi presidenti Gjorge Ivanov.
“Ligji për përdorimin e gjuhëve është jo i drejtë, ligj represiv, që favorizon vetëm se një gjuhë. Një ligj i tillë do të shkaktoj tensione dhe paraqet kërcënim për bashkëjetesën ndëretnike. Si Presidenti i shtetit këtë unë nuk do ta lejoj. Prandaj, nuk do të nënshkruaj dekretin për shpalljen e këtij ligji të miratuar në këtë formë” ka deklaruar presidenti Ivanov.
Ai hodhi akuza ndaj shumicës qeverisëse duke thënë se ligji është shprehje e tiranisë. “Ky ligj është shprehje e tiranisë të shumicës parlamentare ndaj shumicës së qytetarëve të Maqedonisë. Shumica e qytetarëve asnjëherë nuk kanë votuar, dhe as që do të votonin një program politik që parasheh një ligj të tillë, antikushtetues, antishtetëror dhe ligj të dëmshëm. Një ligj i tillë jo i drejt nuk meriton të quhet ligj” ka deklaruar Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov.

Sicred