KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Maqedoni, nis mbledhja për ndryshimet kushtetuese
Maqedoni, nis mbledhja për ndryshimet kushtetuese

Maqedoni, nis mbledhja për ndryshimet kushtetuese

Në Komisionin parlamentar për çështje kushtetuese ka nisur debati për ndryshimet kushtetuese, që janë të domosdoshme për zbatimin e Marrëveshjes për çështjen e emrit me Greqinë, të njohur si Marrëveshja e Prespës. “Zbatimi i Marrëveshjes së Prespës për çështjen e emrit me Greqinë, i hap rrugë Maqedonisë të anëtarësohet në NATO dhe BE, dhe kjo është rruga e vetme“, ka deklaruar kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev duke folur per vendimin e Qeverisë së Maqedonisë për ndryshime kushtetuese para deputetëve. Në Komisionin parlamentar për çështje kushtetuese, kryeministri Zaev i ka ftuar të gjithë deputetë që të vendosin me votën e tyre të ardhmen e Maqedonisë, duke lënë anash interesat e ngushta partiake. “Tani të gjithë deputetët, pavarësisht se cilës parti politike i përkasin, kanë përgjegjësi historike, por njëherësh edhe detyrim që të sigurojnë rrugën e Maqedonisë drejt stabilitetit dhe prosperitet ekonomik. E kjo rrugë është ajo e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe BE, e cila kalon përmes zbatimit të marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë për çështjen e emrit”. Por, Trajko Veljanovski nga partia maqedonase në opozitë, VMRO-DPMNE, parti kjo që është shprehur kundër Marrëveshjes me Greqinë, ka theksuar se kjo marrëveshje ishte imponuar dhe është në dëm të interesave të shtetit. “Referendumi doli i pa suksesshëm dhe populli hodhi poshtë Marrëveshjen që realizoi Maqedonia me Greqinë për çështjen e emrit. Kur populli vendos për një gjë, atëherë deputetët nuk kanë këtë drejtë të ndryshojnë këtë vendim”, deklaroi Veljanovski, duke shtuar se partitë në pushtet nuk do të arrijnë të sigurojnë dy të tretat e votave, që janë të nevojshme për miratimin e këtyre ndryshimeve. Deputetët e Lidhjes Social Demokrate gjatë debatit kanë mbrojtur qëndrimin se me Marrëveshjen me Greqinë për çështjen e emrit, në asnjë mënyrë nuk preket identiteti maqedonas, përkundrazi siç kanë theksuar ata, garantohet edhe sovraniteti dhe integriteti i Maqedonisë si shtet. Ende nuk dihet nëse pushteti ka siguruar votat e nevojshme për të miratuar ndryshimet kushtetuese, ndërkohë që gjatë ditës zëdhënësi i qeverisë, deklaroi se “qeveria pret të sigurohet shumica e nevojshme”. Ndryshe, ndryshimet kushtetuese morën dritë të gjelbër të hënën në një mbledhje të jashtëzakonshme të Qeverisë së Maqedonisë për t’u proceduar në parlament.

Sicred