KRYEFAQJA » LAJME » Maqedoni, më 30 shtator mbahet referendumi për emrin

Maqedoni, më 30 shtator mbahet referendumi për emrin

Parlamenti i Maqedonisë vendosi zhvillimin e referendumit për ndryshimin e emrit të vendit më 30 shtator. Referendumi u miratua me nismën e 68 deputetëve të shumicës. Pyetja qe do i drejtohet qytetareve është: “A jeni për anëtarësim në BE dhe NATO me pranimin e marrëveshjes midis Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë?”.
Por kjo pyetje ka nxitur reagimin e VMRO-DPMNE-së të opozitës, e cila thotë se formulimi i pyetjes është i dykuptimtë dhe manipulativ. Opozita kërkonte një pyetje me kuptim të qartë, por ajo nuk ishte e pranishme për të diskutuar mbi amendamentet që kishte paraqitur vetë.
Shumica parlamentare thotë se me një referendum të suksesshëm, vendit do t’i hapen dyert e integrimit në NATO dhe në Bashkimin Evropian, ndërsa populli maqedonas ruan identitetin dhe gjuhën maqedonase të garantuar me marrëveshjen e Prespë, me palën greke.
Ndërkohë, është zgjedhur edhe përbërja e re e Komisionit Shtetëror të zgjedhjeve që ka për detyre zbatimin e referendumit. Anëtarët e Komisionit, pas betimit që bënë para Kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, thanë se do të bëjnë çmos për organizimin me sukses të referendumit, në aspekt të përgjegjësive ligjore.
Që referendumi të ketë sukses duhet të votojnë mbi 50 për qind e trupit votues që numëron rreth 1 milion e 800 mijë votues dhe nga ata, gjysma të deklarohet pozitivisht. Me zbatimin e Marrëveshjes për emrin, si nga Maqedonia ashtu edhe nga Greqia, përfundimisht zhbllokohet procesi integrues, fillimisht me anëtarësimin e vendit në NATO dhe me hapjen e procesit të bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Sicred