KRYEFAQJA » LAJME » Maqedoni, mbahen zgjedhjet lokale

Maqedoni, mbahen zgjedhjet lokale

Në Maqedoni po zhvillohen zgjedhjet për pushtetin e ri lokal në 80 komuna dhe Shkupin, si njësi e veçantë, i cili në përbërjen e tij ka 10 komuna, 2 prej të cilave janë me shumicë shqiptare. Të drejtën e votës e kanë rreth 1.800.000 zgjedhes. Në garën për të parin e komunës marrin pjesë 260 kandidatë të 19 partive politike dhe të koalicioneve të ndryshme, përfshirë edhe kandidatë të pavarur. Sipas Komisionit qendror zgjedhor, procesi për zgjedhjet vendore në Maqedoni ka filluar ne kohë. KSHZ-ja ka bërë të ditur se deri në orën 13.00 kanë votuar rreth 27.2 për qind e votuesve pa u shënuar ndonjë incident që do të ndikonte në mbarëvajtjen e procesit. Gjatë paradites, përfaqësuesit ndërkombëtarë në Maqedoni kanë bërë thirrje për zgjedhje të lira dhe demokratike, si test shumë i rëndësishëm për perspektivën evropiane të Maqedonisë.
​Beteja kryesore në këto zgjedhje zhvillohet mes dy blloqeve politike maqedonase dhe shqiptare; tek partitë maqedonase mes LSDM-së së kryeministrit Zoran Zaev në pushtet dhe VMRO DPMNE-së opozitare, të cilat në zgjedhjet e fundit parlamentare në dhjetor të vitit të kaluar kishin një rezultat thuajse të barabartë, me dy mandate më shumë në favor të partisë së ish kryeministrit, Nikolla Gruevskit. Te partitë shqiptare beteja zhvillohet mes BDI-së që është pjesë e pushtetit qendror dhe dy partive opozitare, Lëvizjes Besa e PDSH-së, por edhe Aleancës për Shqiptarët, e cila megjithëse është në koalicionin qeveritar, në këto zgjedhje sfidon BDI-në.

Sicred