KRYEFAQJA » LAJME » Maqedoni: Humbja e partive shqiptare

Maqedoni: Humbja e partive shqiptare

Ajo që mes të tjerash karakterizoi zgjedhjet e djeshme në Maqedoni, është numri shumë më i vogël i deputetëve që fituan partitë shqiptare, 20 krahasuar me 28 në zgjedhjet e fundit, ato të vitit 2014. Rezultatet tregojne se Bashkimi Demokratik per Integrim i Ali Ahmetit ka fituar më shumë vota, 7.36 %. Pas kësaj partie renditet Lëvizja BESA me 4.77 %. E treta është Aleanca për Shqiptarët me 2.97 % të votave, ndërsa PDSH-ja mbetet e katërta, me 2.63 %. Ajo që është e sigurt, është humbja e mandateve të deputetëve nga radhët e shqiptarëve. Për arsyet e kësaj humbje ka shumë variante. Shqiptarët nga këto zgjedhje do te kene deri në 9 deputetë më pak. Ali Ahmeti ka shpallur fitoren e partisë së tij, por ka thënë se me hidhërim duhet te pranoje se shqiptarët janë humbës nga këto zgjedhje. Bilal Kasami nga Lëvizja Besa, po ashtu ka shpallur fitoren e partisë së tij. Ai ka thënë se nga këto zgjedhje fitues janë shqiptarët, por humbi BDI-ja. Edhe Menduh Thaçi i PDSH-së “ka shpallur humbjen e BDI-së”. Në zgjedhje morën pjesë rreth 66 % e votuesve. Zgjedhjet u monitoruan nga 667 vëzhgues ndërkombëtarë dhe 7 585 vendës.