KRYEFAQJA » LAJME » Maqedoni: Fillojnë përgatitjet për zgjedhjet

Maqedoni: Fillojnë përgatitjet për zgjedhjet

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoni po punon me intensitet të plotë për organizimin e zgjedhjeve lokale, të cilat u caktuan të mbahen me 15 tetor të këtij viti. Subhi Jakupi nga ky institucion, thotë se institucioni që përfaqëson po punon në drejtim të eliminimit të të gjitha anomalive të cilat ishin vënë në pah nga faktori ndërkombëtar. Por nga asociacioni CIVIL, i cili ka ndjekur shumë procese zgjedhore në Maqedoni, theksojnë si më problematike shfrytëzimin e resurseve shtetërore për fushatë dhe korrupsionin politik, si dhe presionet në forma të ndryshme ndaj trupit elektoral. Xhabir Deralla, drejtues i këtij asociacioni thotë se sfida më e madhe për Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve mbetet pastrimi i listës së votuesve nga të ashtuquajturit votues fantom. Partitë politike kanë thënë se janë të gatshme për tu futur në garë zgjedhore, duke theksuar se përgatitjet i kanë filluar që para shpalljes së zgjedhjeve, por ata nuk i kanë shpalosur emrat e kandidatëve me të cilat do të garojnë. Njohësit e çështjeve politike thonë se zgjedhjet lokale të 15 tetorit shihen si test, në veçanti për partitë politike maqedonase, të cilat në zgjedhjet e fundit parlamentare dolen pothuajse me rezultat të barabartë. Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi të dielën bëri të ditur se zgjedhjet lokale do të mbahen me 15 tetor, në 82 komuna të vendit si dhe në qytetin e Shkupit, si njësi e veçantë e pushtetit lokal.

Sicred